Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar sot në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Ky ishte takimi i parë bilateral mes dy zyrtarëve pas emërimit të Sørensen në këtë detyrë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi u fokusua në qasjen e re që Përfaqësuesi i BE-së synon të ketë në fazat e ardhshme të dialogut dhe në diskutimin e temave konkrete që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
“Diskutuam për temat që janë kyçe për ne dhe ku po shohim mungesë të madhe të angazhimit nga ana e Serbisë. Kemi kërkuar përgjigje nga Brukseli për shumë çështje të rëndësishme”, tha Bislimi pas takimit.
Ai përmendi pengesat e Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, veçanërisht në mungesën e infrastrukturës në tri pika kufitare, dhe mungesën e reagimit ndaj propozimeve të Kosovës për pika sezonale në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë.
Një tjetër temë me rëndësi ishte energjia. Zëvendëskryeministri tha se mosfunksionalizimi i linjave të interkoneksionit me Serbinë po i shkakton humbje të mëdha Kosovës.
Ai akuzoi Serbinë se po vendos barriera artificiale dhe po refuzon zbatimin e obligimeve që i ka marrë në kuadër të marrëveshjes për energjinë.
Gjatë takimit u trajtua edhe fushata dezinformuese e Serbisë, për të cilën Bislimi tha se po synon të manipulojë opinionin ndërkombëtar dhe të mbajë qytetarët serbë në Kosovë nën presion të vazhdueshëm.
Në lidhje me ndikimin e situatës së brendshme politike në Kosovë mbi procesin e dialogut, Bislimi pranoi se “ka vështirësi, sidomos në mbajtjen e takimeve të nivelit të lartë”, por shtoi se Kosova duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për progres, pavarësisht vonesave në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Të tjera
Osmani mbështet ndërtimin e urave mbi Ibër
Albulena Haxhiu është shembull për punën e saj si ministre e Drejtësisë, thotë Donika Gërvalla
Këto truke do ta ndihmojnë fëmijën tuaj t’ju tregojë gjithçka rreth ditës së tij në shkollë