Mbi 1.9 milion euro të buxhetit të shtetit gjatë këtij viti janë shpenzuar për pagat e deputetëve të Kuvendit dhe të asistentëve të tyre. Shumica e seancave të mbajtura sivjet zgjatën për disa minuta.
Punë nuk u kryen e institucionet e reja nuk u formuan. Megjithëse pagat i morën, vendi vlerësohet se po rrezikon të hyjë në një bllokadë financiare. Për këtë fajësohen po këta përfaqësues të popullit që nuk po arrijnë të gjejnë konsensus.
Për 7 muaj, mbi 1.9 milion euro, deputetët e Kuvendit të Kosovës bashkë me asistentët i morën nga buxheti i shtetit. Por rezultate nga puna e tyre nuk pati.
Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro, pa përfshirë këtu edhe shtesat nga përvoja e punës.
Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë RTK-së se nga muaji prill, kur edhe u thirr seanca konstituive e deri në tetor, mbi 1 milion e 300 mijë euro u ndanë për pagat e ligjvënësve.
Ndërsa mbi 571 mijë euro janë ndarë për pagat e stafit mbështetës politik.
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është përballur me bllokadë institucionale. Kuvendi nuk është konstituuar për muaj me radhë, derisa disa herë kanë dështuar edhe tentativat për zgjedhjen e kryetarit. Tashmë Kuvendi është i konstituuar, deputetët e asistentët e tyre marrin paga, por punët nuk po kryhen.
Megjithëse paga e deputetit vazhdon të jetë ndër më të lartat në sektorin publik, të zgjedhurit e popullit nuk kanë arritur t`i formojnë institucionet e reja, për çka pasojat po i bartin qytetarët.
“Pasojat janë në rrafshin e brendshëm e po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtarë. Janë dy shtylla kryesore që po e rrezikojnë stabilitetin makrofinanciar të vendit. E para ekziston rrezik që në këtë gjendje që ndodhet Kuvendi, fakti që nuk kemi qeveri legjitime, pasoja e parë do të jetë mosmiratimi i buxhetit të vendit. Unë nuk guxoj as ta imagjinoj çfarë pasoja do të ketë për qytetarët. Kosova është i vetmi vend në rajon së bashku me Bosnjën që nuk ka arritur të ketë qasje në fondet e BE-së sa i përket planit të rritjes ekonomike”, tha Afrim Kasolli, njohës i politikës.
Sipas Kasollit, për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve, vendi rrezikon të hyjë në kolaps financiar.
“Kjo është një sjellje e papërgjegjshme në bazë të detyrimeve që kanë ndërmarrë pasi të njëjtit kanë mandat për ti adresuar shqetësimet e qytetarëve të Kosovës. Nëse nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje politike, nëse hyjmë në vitin tjetër pa miratim të buxhetit, vendi shkon në kolaps financiar dhe pasojat është e frikshme edhe të parashikohen”, shtoi Kasolli.
Për dallim nga deputetët të cilëve pagat po u dalin edhe pa kryer punë, punonjësit e Radiotelevizionit të Kosovës tash e 14 ditë nuk janë paguar.
RTK vazhdimisht ka përcjellë seancat parlamentare bashkë me aktivitetet e tjera të ligjvënësve, ndonëse të njëjtit nuk po gjejnë zgjidhje për buxhetin e transmetuesit publik.



Të tjera
Mihali reagon pas vendimit të PZAP-it për Mitrovicën: Asnjë manipulim, asnjë kompromentim
Nuk kisha dijeni për dorëheqjen e Memli Krasniqit
Një zjarr dhe stuhi të forta kërcënojnë Kaliforninë, 1400 të evakuar