Sefedin Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kolonel Ahmet Krasniqit – i vrarë në Tiranë nga dora kriminale – ka folur lidhur me zhvillimet në Tribunalin Special dhe dëshminë e gjeneral Wesley Clark dhe efektin që dëshmia e tij mund të ketë në procesin gjyqësor.
Krasniqi tregon se akuzat ndaj Thaçit janë të rënda dhe përfshijnë tri kategori kryesore.
“Cilat janë akuzat që rëndojnë mbi Thaçin? Ato janë të rënda: • Krime lufte dhe krime kundër njerëzimit – Ai akuzohet për përgjegjësi penale individuale në lidhje me krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, përfshirë vrasje, tortura, trajtime çnjerëzore dhe zhdukje të personave. • Pjesëmarrje në një konflikt të armatosur – Aktakuza përfshin veprime që shkelin ligjet dhe zakonet e luftës gjatë një konflikti të armatosur. • Përgjegjësi për veprime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) – Si ish-drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Thaçi akuzohet për përgjegjësi lidhur me veprimet e forcave të UÇK-së gjatë periudhës së konfliktit”, shprehet Krasniqi.
“Në ditën e parë të dëshmisë, gjenerali Clark theksoi se Hashim Thaçi ishte një figurë politike dhe jo komandant ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kjo nënkupton se përgjegjësitë ushtarake dhe veprimet e luftës nuk i përkasin drejtpërdrejt Thaçit”, shprehet Krasniqi.
Sipas tij, kjo deklaratë ka efekt të drejtpërdrejtë në perceptimin publik.
“Ky pohim e zhvesh Thaçin nga aurola e lavdisë si çlirimtar, sidomos në krahasim me epitetin që Biden i dha si ‘George Washingtoni i Kosovës’.”
Më tej, Krasniqi analizon peshën juridike të dëshmisë së gjeneral Clark.
“Gjenerali Clark mundohet të bëjë ndarjen e përgjegjësive politike nga ato ushtarake, duke argumentuar se Thaçi ishte kryesisht figurë politike dhe jo komandant ushtarak direkt përgjegjës për veprime të paligjshme. Ai sfidon atribuimin e gabimeve të të tjerëve tek Thaçi”, deklaron Krasniqi.
Megjithatë, Krasniqi thotë se vendimi final mbetet në duart e trupit gjykues.
“Vendimi përfundimtar i gjykatës do të bazohet në të gjitha provat dhe dëshmitë, përfshirë dokumentet, hetimet dhe dëshmitë e tjera.”
“Ata që po mundohen ta mbajnë Thaçin lart janë gazetarët dhe analistët e tij. Të njëjtit kanë krijuar idenë se Thaçin do ta lirojnë dhe po përpiqen ta shndërrojnë në një legjendë.”
Ai ndalet te momenti që e quan “më skandalozin”.
“Momenti më skandaloz shpërfaqet kur gjenerali Clark tregon zbrazjen e Mitrovicës së Veriut nga shqiptarët nga forcat speciale serbe. Ai dëshmon se kjo ishte bërë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes së Francës, çka na kujton Thaçin mbi urën e Ibrit, i cili në një mënyrë dëshmon faktin se ishte në sinkron me institucionet e Francës që përgatiteshin për ndarjen e Kosovës”, shpjegon Krasniqi.
Sipas Krasniqit, kjo nuk është vetëm e kaluar, por ka marrë konfirmim së fundmi:
“Këtë fakt e dëshmuan para dy ditësh gjeneralët Michel Yakovleff dhe Nicolas Richoux në një emision televiziv kushtuar Ukrainës. Si pjesëmarrës në luftën e Kosovës, ata shprehën dëshpërimin e tyre duke thënë se çlirimi dhe pavarësia e Kosovës ishin gabim dhe se ishin manipuluar nga amerikanët”, përfundon Krasniqi



Të tjera
Vendimi i Supremes për Mitrovicën ndez reagimin e Pecit: “Ky vendim ka implikime të mëdha”
Debat i ashpër në politikë: Qarri akuzon opozitën për “tradhti shtetërore” dhe bllokim të buxhetit
Rivotimi i Mitrovicës mohohet nga Gjykata Supreme – reagime dhe polemika në skenën politike