Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviq, u dëgjua dëshmitari Florim Gashi, i cili pohoi se i akuzuari ishte në mesin e personave të uniformuar në Ozdrim të Pejës më 1999.
Sipas tij, më 7 maj 1999, Gjokoviqi është parë i veshur me uniformë policore dhe i armatosur, së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe paraushtarake serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në dëshminë e tij, Gashi përshkroi keqtrajtimet që ai dhe bashkëfshatarët e tij i kanë përjetuar nga forcat serbe në fshatin Ozdrim, më 6 dhe 7 maj të vitit 1999.
Sipas tij, ushtria serbe më 6 maj 1999, në orët e hershme të mëngjesit, hyri në fshat, hapi zjarr mbi shtëpitë, detyroi banorët të dilnin jashtë dhe më pas i bastisën, i rrahën dhe i torturuan.
Pas kësaj, siç theksoi ai, të gjithë banorët u vendosën në një objekt ndihmës pranë stacionit të policisë.
“Tre ditë kemi qenë aty, pa ushqim e pa ujë. Torturat ishin të përditshme”, deklaroi dëshmitari, duke theksuar se më pas u transferuan në burgun e Pejës, e më vonë edhe në burgun e Leskocit, ku ai qëndroi për shtatë muaj.Ai tha se edhe rojet e burgut nga Peja vazhduan me keqtrajtime fizike, ndërsa kushtet e jetesës ishin çnjerëzore.
Për më tepër, Florim Gashi deklaroi para gjykatës se vëllai i tij ishte vrarë nga forcat serbe, pasi kishte tentuar të ikte. Trupi i tij, siç theksoi Gashi, është marrë vetëm pas përfundimit të luftës.
Sa i përket identifikimit të pjesëmarrësve, ushtarëve dhe policëve, dëshmitari deklaroi se e njihte Milorad Gjokoviqin që para luftës, kur ky punonte si drejtor i Zyrës Lokale.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.



Të tjera
10 kuriozitete rreth bebeve!
Dhuratat që s’duhet t’ia bëni partnerit për Shën Valentin
Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën