“Dimali është zgjedhur legjitimisht, lëreni ta bëjë punën”

Zgjedhja e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit të Kosovës ka nxitur debate të shumta politike dhe publike. Megjithatë, sipas analistit Liri Loshi, procesi ka qenë i ligjshëm dhe legjitim, ndërsa kritikat që po i adresohen Bashës janë të pabazuara.

“A dyshohet Dimal Basha për ndonjë vrasje? Për ndonjë vjedhje? Për ndonjë dhunë familjare? Jo,” deklaron Loshi. Ai thekson se, ndryshe nga shumë figura të tjera publike që përmenden në media për afera të ndryshme, ndaj Bashës nuk ekziston asnjë hije dyshimi për veprime të paligjshme.

Sipas tij, rruga e Bashës deri te posti i kryetarit të Kuvendit është e qartë dhe transparente.

“E ka emëruar Albin Kurti kandidat për deputet. E ka zgjedhur populli me votë. Pastaj, po i njëjti lider i partisë e ka propozuar kandidat për kryetar Kuvendi. Pas raundit të parë, e ka propozuar prapë. Pra, është kandidat i menduar dhe i mbështetur. Dhe më në fund ka marrë votat e nevojshme për kryetar.”

Loshi shton se kundërshtitë e kryeministrit Kurti për të mos e uruar Bashën nuk e cenojnë legjitimitetin e tij.

“Punë e madhe pse Albin Kurti nuk ia uron detyrën. Punë e madhe pse një ministër që as nuk është ministër jep dorëheqje. Me gjasë më shumë për të mbuluar ndonjë defekt të vetin.”

Ai është kritik edhe ndaj deputetëve që, sipas tij, shkojnë në parlament pa e ditur as vetë pse janë aty.

“Shumë deputetë shkojnë në ‘punë’ dhe nuk dinë pse shkojnë. Dimali, për dallim nga këta, e di pse shkon aty – pra, shkon sepse është kryetar.”

Në fund, Loshi shpreh mbështetjen e tij të plotë për Bashën.

“Lëreni zotërinë ta kryejë punën e vet. Shumë urime Dimal! Ju që jeni kundër – plasni! Ose, urojeni si unë.”