Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova shpallen sportistët e vitit 2025 nga KOK

Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova shpallen sportistët e vitit 2025 nga KOK

Xhudistja Distria Krasniqi është shpallur Sportistja e Vitit 2025, ndërsa xhudisti Akil Gjakova ka marrë çmimin Sportisti i Vitit, në ceremoninë “Laureatët 2025”, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Çmimi për Krasniqin është ndarë nga  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, drejtori i përgjithshëm i BKT-së, Suat Bakkall, si dhe trajnerja Majlinda Kelmendi.

Ndërsa çmimi për Akil Gjakovën është dorëzuar nga nënpresidenti i parë i KOK-ut, Milaim Kelmendi, në shoqërim të sekretarit të përgjithshëm të ICMG-së, Iakovos Filippuzis, dhe kryetarit të nderit të KOK-ut, Besim Hasani.

Kryeministri Albin Kurti, duke uruar fituesit e çmimeve ka thënë se mbështetja për sportin do të vazhdojë.
“Çdo medalje është dëshmi e talentit dhe e punës. Urime secilit laureat e laureate të vitit që e lamë pas. Sukseset tuaja mos u ndalshin! Mbështetja për sportin do të vazhdojë”, ka thënë Kurti.

Çmimi “Trajneri i Vitit” i ka takuar mjeshtrit të xhudos kosovare, Driton Kuka, për sukseset e vazhdueshme me ekipin kombëtar.

Ndërkohë, çmimi “Shpresa e Vitit” te vajzat i është ndarë xhudistes Enise Zijade, kurse te djemtë tekuandistit Bleron Ademi.

Çmime speciale kanë marrë xhudistja Laura Fazliu dhe Astrit Hasani, kryetar i Federatës Evropiane të Peshëngritjes.

Çmimi për Kombëtaren më të Mirë të Vitit i është ndarë Kosovës U17 në futboll për vajza, si dhe Kombëtares së seniorëve të Kosovës, e cila është në garë për kualifikim në Botërorin 2026.
KOK e ka nderuar me çmim edhe xhudisten Nora Gjakova, e cila i ka dhënë fund karrierës në vitin 2025.