Flamuri 780x439

Dita e Pavarësisë së SHBA-së, Abdixhiku: SHBA-të do të mbesin aleat i përhershëm strategjik i Kosovës

Në 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se SHBA-të janë janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “4 korriku i vitit 1776, shpallja e pavarësisë së ShBA-ve padyshim shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, SHBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë”.

“Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë motiv dhe model i shumë popujve anekënd globit për liri, paqe e demokraci”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.

Më tej ai ka shkruar se “Edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit”.

“Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Historik Rugova: ‘Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike”, ka shkruar ai.

“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë”, ka uruar Abdixhiku.