Qeveria e Kosovës ka votuar pro themelimit të Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike, e cila do të funksionojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se kjo zyrë përfaqëson një mekanizëm të ri dhe të fuqishëm që synon të garantojë se prioritetet e Qeverisë nuk do të mbeten vetëm në letër, por do të përkthehen në rezultate konkrete.
“Ajo do të angazhojë ekspertizë të nivelit të lartë për nevojat e të gjitha dikastereve, duke siguruar që çdo projekt dhe program i planit të punës të zbatohet me efikasitet, ritëm dhe standard profesional. Për herë të parë përmes kësaj zyre, krijohet një qendër e specializuar për mbikëqyrje sistematike të projekteve kapitale, për monitorimin e kontratave të nënshkruara dhe për identifikimin e pengesave në zbatim”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, ky mekanizëm do të rrisë llogaridhënien dhe do të sigurojë që çdo euro e buxhetit të shndërrohet në ndikim real për qytetarët.
“Kjo do të thotë më pak vonesa, më shumë bashkërendim institucional dhe një disiplinë e re në realizimin e investimeve publike”, tha ai.
Në të njëjtën mbledhje u votua edhe agjenda legjislative për vitet e ardhshme, ku prioritet do të kenë Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe ai për çmimet tavan.



Të tjera
Qeveria miraton pakon e 19 të masave ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë
Kuvendi voton buxhetin e Kosovës për vitin 2026
Turqia është e gatshme të kontribuojë në Gaza “në çdo mënyrë të mundshme”