Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën ku po diskutohet për rritjen e çmimeve të naftës, ka paralajmëruar se do të sjellin një pako të re për përballje me inflacionin.
Ai po ashtu foli edhe për mbështetjen e transportit publik urban dhe ndërurban.
“Në këtë kohë sfiduese, çmimet e naftës dhe energjisë kanë luhatje të vazhdueshme dhe është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta. Por detyra jonë nuk është të gjejmë rrugën më të lehtë, por ta zgjedhim rrugën më të drejtë, më të dobishme dhe më të qëndrueshme për vendin tonë. Situata aktuale ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha në botë. Te ne efekti më dramatik nuk ka dhënë ende shenjat e veta pasi nuk ka pasur kufizim të furnizimit dhe as humbje të derivateve”, tha Kurti.
“Ne jemi duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh, kjo është mënyra se si ne përballemi me inflacionin”, shtoi ai.
Kurti tha se si Qeveri e Kosovës nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë sfidave dhe se do të fillojnë krijimin e rrjetit të integruar të transportit publik në të gjithë vendin, në mënyrë që çmimi i shtuar i naftës të mos reflektohet në bileta për qytetarët në sistemin publik të transportit.
“Synojmë pra një biletë të integruar mujore, me të cilën qytetarët do të mund të udhëtojnë anë e mbanë vendit duke e shfytëzuar transportin urban dhe ndërurban. Bileta do të jetë e subvencionuar, si rrjedhojë do të ketë kosto minimale për shfrytëzuesit dhe do të jetë e përballueshme për secilin. Vetëm 10 euro në muaj, për çdo udhëtar anë e mban vendit”, pohoi ai.



Të tjera
Njerëzit e mençur nuk tradhtojnë
Kurti priti në takim presidentin e fondacionit Renovabis
Në mungesë kuorumi, nuk votohet rezoluta për çmimet e naftës