Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, të cilit gjatë ditës iu hoq mandati si president i Republikës Sërpska nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë-Hercegovinë, ka shpallur referendum për pozitën e tij në krye të këtij entiteti.
Pas njoftimit të Komisionit, Dodiku ka mbledhur partnerët e koalicionit. Ai ka thënë se unanimisht kanë vendosur që të thirrin referendum.
“Mandati më është dhënë nga populli, prandaj do t’i dëgjoj në referendum, që do të mbahet në periudhën e ardhshme dhe që do të vendosë për mua”, ka thënë ai.
Dodiku më herët gjatë ditës reagoi ndaj vendimit duke thënë se nuk e njeh Komisionin.
Vendimi i Komisionit ndaj Dodikut u mor pas dënimit të tij me një vit burg dhe ndalimit për gjashtë vjet që ta ushtrojë funksionin e presidentit, vendim ky që ka ndikuar drejtpërdrejt në legjitimitetin e tij për të vazhduar mandatin.
Mbrojtja e Dodikut ka të drejtë të apelojë vendimin në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, e cila trajton ankesat lidhur me proceset zgjedhore. Ankesa mund të bëhet brenda dy ditëve nga pranimi i vendimit. Pas përfundimit të procesit të ankesës, vendimi do të bëhet përfundimtar.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit, KQZ-ja pritet të marrë një vendim për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Republikën Sërpska.
Avokati i Dodikut, Goran Bubiq, ka paralajmëruar se do të kërkojë një masë të përkohshme për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit dhe do të bëjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.



Të tjera
500 mijë fidanë për institucionet dhe qytetarët
Sjelljet që dëmtojnë lidhjen emocionale me fëmijët
Policia njofton bllokim të përkohshëm të segmentit Prishtina Mall-Veternik-QMI