Dogana e Kosovës ka dalë me një deklaratë publike në rrjetet sociale, për rastin e dy orëve luksoze të reperit të njohur Mozzik.
Sipas njoftimit, njësitet doganore kanë ndalur përkohësisht dy orë luksoze (një Richard Mille dhe një Rolex), të cilat nuk janë deklaruar nga reperi gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër.
Vlera totale e këtyre orëve sipas Doganës së Kosovës është mbi 1.3 milion euro.
Ata tutje kanë deklaruar se Mozzik është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, derisa dy orët po mbahen nga Dogana deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.
Njoftimi i plotë
Dogana e Kosovës njofton opinionin publik se pas publikimit të lajmeve në portale dhe rrjete sociale, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe kontrollin e një personi të dyshuar me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Si rezultat i këtij kontrolli në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze (një Richard Mille dhe një Rolex), të cilat nuk janë deklaruar nga udhëtari gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Vlera totale e këtyre orëve është 1.340.027,50 € (një milion e treqind e dyzet mijë e njëzeteshtatë euro e pesëdhjetë cent).
Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar.
Më 17 shtator 2025, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit dhe në zbatimin e detyrave për të parandaluar shmangiet nga obligimet doganore, kontrabandën dhe pasurinë e pajustifikuar.
Të tjera
Bastisje në Dubravë, të dënuarit kapen duke futur telefona e na*rkotikë
Zelensky thotë po presin fondin prej 2.9 miliardë eurosh për ar*mët amerikane për të lu*ftuar Rusinë
Krasniqi më kërkoi me e shkel ligjin për një uz*urpator