Driton Tali: Rikthimi i serbëve në institucione s’mund të ndodhë pa ndryshime në Serbi

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka kërkuar rikthimin në punë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve tjerë serbë që u larguan nga institucionet e Kosovës në komunat veriore afro tre vite më parë.

Kallas theksoi se funksionalizimi i institucioneve në veri është kyç për stabilitetin dhe përparimin në dialogun Kosovë–Serbi.

Analisti politik, Driton Tali, ka deklaruar se kthimi i qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm, por sfida mbetet ndikimi i vazhdueshëm i Beogradit mbi ta.

Ai komentoi edhe kërkesën e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, për rikthimin e gjyqtarëve serbë, duke e konsideruar të sinqertë, por me pak gjasa suksesi për shkak të qëndrimit destruktiv të Serbisë.

“Që qytetarët serbë, të cilët jetojnë në ato komuna, duhet t’i kthehen institucioneve të Republikës së Kosovës, kjo është e padiskutueshme.

Çështja është se si t’i fascilitojmë, sidomos një numër që është goxha i madh i tyre të cilët janë akoma të influencuar, e qe besa edhe të menaxhuar, nga qeveria e Serbisë.

Dhe kjo është sfida që ne do të përballemi edhe më tutje derisa “kjo Serbi” nuk fillon të ndryshojë pozitivisht.

Sa i përket kërkesës së kryediplomates së BE’së, znj Kaja Kallas, “për rikthimin e gjyqtarëve serbë” unë këtë kërkesë e shikoj nga perspektiva e agjendës europiane dhe rolit që ka ajo zonjë në atë kontekst.

Ndonëse dyshimin e kam në suksesin e saj. Me “këtë Serbi” nuk ka agjendë të mirëfilltë europiane. Jam i bindur se edhe për shumë kohë do të vazhdojë ky “modus operandi” ekzistues, ku palët do të vazhdojnë të takohen për t’u pajtuar për asgjë gjersa situata në Ballkanin Perindimor të jetë kjo konstantja.