“Dua të shkoj me konstruktivitet dhe optimizëm” – Kurti flet para takimit të liderëve te Presidentja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati kanë mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës në të cilën diskutuan dhe prezantuan buxhetin dhe projektligjin për buxhetin e vitit 2026.

Pas vendimeve për rritje të shtesave për fëmijë, pensioneve të moshës dhe paralajmërimet për pagë të 13-të në sektorin publik, Kurti tha se vendimet u morën sot pasi që është praktikë e qeverisë së tij që propozim-buxheti të bëhet në javën e fundit të tetorit ashtu siç e parashikon ligji sipas tij, transmeton KosovaPress.

Kurti:Në çdo vit në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave publike 31 tetori është afati i fundit për të miratuar ligjin në qeveri

“Në çdo vit në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave publike 31 tetori është afati i fundit për të miratuar ligjin në qeveri, kjo është e sigurt që kjo ka ndodh çdoherë me neve, ne e bëjmë në muajin tetor, nganjëherë ëshë 30 tetori nganjëherë 31 tetori nganjëherë është edhe ndonjë ditë më herët, por nuk e bëjmë në shtator kjo bëhet në javën e fundit të tetorit. Në këtë rast e kemi bërë me 31 tetor, kjo nuk është ndonjë risi, pse po e bëjmë miratimin në mbledhjen e qeverisë propozim-buxheti për vitin 2026 në ditën e fundit të tetorit sepse ligji e kërkon një gjë të tillë.

Kurti: Kur i realizojmë premtimet para kohe nuk besoj që duhet të ketë ankesa

“Sa i përket konsensusit, unë i thërras logjikës dhe racionalitetit pra konsensusi nënkupton logjikëku vlejnë aspektet universale të të menduarit dhe në anën tjetër të racionalitetit ku ne bashkërisht shpresoj që të kemi një situatë që në Kuvendin e Republikës meqënëse kemi Kuvend të konstituuar, ky buxhet i rritur dhe i mirë do të kalojë në legjislaturën e nëntë. Nuk kam armë tjetër për të arritur konsensus përveç logjikës dhe racionalitetit. Ndërkaq pse nuk kemi pritur që këtë ta bëjmë më vonë, nëse pensionistët dhe punëtorët që preken nga paga minimale do të ishin dakord që ne këtë ta shtyjmë për më vonë edhe unë do të isha dakord, por jam i bindur që ata presin që prej momentit kur ka folur kryeministri është e rëndësishme që të kalohet në realizimin e atyre, e kemi lexuar dhe rilexuar ligjin dhe kemi ardhur në përfundim që mund ta bëjmë, rrjedhimisht nuk kemi pse e shtyjmë. A do të ishte më mirë me një qeveri me mandat fuqiplotë katërvjeçare në vijim, sigurisht që do ishte mirë, por besoj që më mirë kështu që vazhdojmë të jemi qeveri në detyrë dhe morëm vendime të mira se sa të themi që të presim për qeverinë e re e cila nuk e dimë a është këtë vit apo në vitin e ardhshëm dhe vetëm atëherë do të mund të gëzoni që i premtoj kryeministri. Me që është e mundur të bëjmë gjëra të mira duhet t’i bëjmë gjërat e mira. Pra, kur i realizojmë premtimet para kohe nuk besoj që duhet të ketë ankesa, nëse nuk mbahen premtimet duhet të ketë ankesa, por po u realizuan para kohe për besë është mirë që të gëzohemi të gjithë bashkërisht”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri në detyrë tha se në takimin e sotëm të presidentës me liderët e subjekteve politike shkon me optimizën dhe konstruktivitet.

Kurti: Dua të shkoj me konstruktivitet dhe optimizëm aty

Në anën tjetër, Murati sqaroi se pensionistët pagesën me rritje do ta marrin që nga nëntori i këtij muaji.

Murati: Pensionet merren me 15 nëntor apo cila do datë e punës që i bie datë e punës dhe kësisoj zbatimi do të fillojë nga muaji nëntor

“Siç edhe e dini një ndryshimi që kemi bërë sa i përket pagesës së pensionet është që pagesa të bëhet në mes të muajit, pra me datën 15 në mënyrë që familja të ketë likuiditet të vazhdueshëm, sepse çdokush mund të ketë fëmijë, pensionistë të punësuar brenda familjes dhe përveç se pagat merren në fund të muajit në mes të muajit vjen edhe pensioni shtohet si likuiditet. Pra, pensionet merren me 15 nëntor apo cila do datë e punës që i bie datë e punës dhe kësisoj zbatimi do të fillojë nga muaji nëntor”, tha Murati.