Foda: Duam të tregojmë lojë më sulmuese, të bëjmë presion të lartë dhe të ruajmë topin me kurajë

Duam të tregojmë lojë më sulmuese, të bëjmë presion të lartë dhe të ruajmë topin me kurajë

Kosova nesër e luan ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionat Botëror ndaj Zvicrës në Bazel.

Një ditë para kësaj ndeshje, në konferencë për media ka dal selektori i Kosovës, Franco Foda, shkruan Arbresh.info.

Përkundër mungesave të shumta ai pret rezultat pozitiv.

“Kemi pasur paraqitje të mira, por edhe Zvicra ka treguar lojë dhe rezultate të forta. Në takimet e mëparshme kemi qenë më shumë në mbrojtje, por këtë herë duam të tregojmë lojë më sulmuese, të bëjmë presion të lartë dhe të ruajmë topin me kurajë. Shpresojmë të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm”, ka thënë fillimisht Foda.

Ai më tej tha se gezojnë respekt për Zvicrën, si dhe nuk mendon se lojtarët zviceran kanë frikë nga Kosova përkundër formës së mirë.

“Nuk jemi të frikësuar, por kemi respekt për Zvicrën. Jemi të vetëdijshëm për forcën që ka. Ka treguar paraqitje të mira në botërore dhe evropiane. Por shpresojmë të arrijmë diçka të madhe. Nëse arrijmë kualifikimin do të ishte diçka e madhe për ne. Është rrugë e gjatë, kemi kundërshtar të fortë në grup. Futbolli ka dëshmuar që ka shumë tregime. Shpresoj ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Foda.

“Nuk mendoj se lojtarët e Zvicrës se do të kenë frikë, sepse e dinë se janë një ekip i fortë, por do të kenë respekt për ne, ashtu siç do të kenë edhe kundërshtarët tjerë që do të na kenë përballë”, ka thënë Foda.

Tutje selektori foli edhe për atmosferën që është krijuar në stadium ndeshjet e kaluara.

“Kam dëgjuar që ka pasur atmosferë të mirë në ndeshjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Kemi parasysh që do ta kemi sërish përkrahjen. Shpresoj të kemi sa më shumë shikues në anën tonë. Dhe do të jetë një detyrë që t’i kënaqim me lojë këta shikues. Presim të ndahen të kënaqur. Do të luajmë me një stil më të hapur dhe të arrijmë t’i gëzojmë tifozët”, ka thënë Foda.

Gjermani u pyet edhe për dy prurjet e reja Leon Avdullahun dhe Veldin Hoxhën.

“Janë paraqitur mirë në stërvitje dhe na ndihmojnë për përparimin e lojës. Mesfusha është themeli i lojës. Uroj të jenë sa më gjatë këtu. Ata do të kenë një të ardhme të ndritshme te Kosova”, ka thënë Foda.

Në fund Foda u pyet nëse mungesa e Edon Zhegrovës ka të bëj me përjashtimin e tij vitin e kaluar nga kampi.

“Ai ka munguar për kohë të gjatë, më pas u kthye për të pasur disa stërvitje me Lillen, por akoma pa luajtur dhe ishim në mëdyshje për situatën e tij, më pas erdhi kalimi tek Juventusi nuk ishte sens që ai të vinte për momentin pas një mungese të gjatë, prandaj vendosem që ai të përgatitet atje dhe më pas të jetë i gatshëm për ekipin kombëtar nga tetori”, u shpreh Foda për mungesën e Zhegrovës.