Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të premten se marrëveshja për garancitë e sigurisë për Ukrainën do të përbëhet nga dy shtresa: forcimi i ushtrisë së Ukrainës dhe angazhimet nga SHBA-ja dhe Evropa me qëllim frikësimin e Rusisë në rast të një agresioni të ardhshëm.
Mbështetja e NATO-s për Ukrainën mbetet “e palëkundur” dhe “vazhdojnë të rritet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, të premten gjatë një vizite në Kiev, raporton Euro News.
Pas takimit me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Rutte tha se ka më shumë plane për të siguruar financim nga NATO për të garantuar “një rrjedhë thelbësore të armëve vdekjeprurëse amerikane për Ukrainën”.
Pas takimit shumëpalësh të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, Rutte tha se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e bëri të qartë se “Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën”.
“Ne tani po punojmë së bashku – Ukraina, evropianët, Shtetet e Bashkuara – për t’u siguruar që këto garanci sigurie të jenë në një nivel të tillë që Vladimir Vladimirovich Putini, duke qëndruar në Moskë, të mos përpiqet më kurrë të sulmojë Ukrainën”, tha Rutte në një konferencë për media.
Rutte tha se marrëveshja për garancitë e sigurisë do të përbëhet nga dy shtresa: forcimi i ushtrisë së Ukrainës dhe angazhimet nga SHBA-ja dhe Evropa me qëllim parandalimin e Rusisë në rast të një agresioni të ardhshëm.
Sipas Rutte-s, diskutimet për vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë janë duke vazhduar, por “është shumë herët për të thënë se cili do të jetë rezultati”.
“Është ende shumë herët për të thënë se kush mund të ofrojë trupa, kush do të kontribuojë me inteligjencë, kush do të jetë i pranishëm në det dhe kush — në ajër”, shtoi Zelenskyy.
“Ukrainës i nevojiten garanci sigurie që ne, fëmijët dhe nipërit tanë, të jemi të sigurt që Rusia nuk do të na sulmojë. Këto janë garanci sigurie kundër një agresori”, tha presidenti ukrainas.
Të tjera
“Vdekja, kjo Zonjë Omadhështore!”Çfarë shkroi Artur Zheji për vdekjen 1 vit më parë
Si të shmangni thithjen e energjisë negative të njerëzve të tjerë
Lista Serbe rrezik më serioz për Kosovën sesa AfD për Gjermaninë