Duka: Partizani, model vizioni në futbollin shqiptar

Presidenti i FShF, Armand Duka ishte i ftuar në ceremoninë festive të 80-vjetorit të themelimit të KF Partizani, një prej klubeve më të mëdha dhe më me histori në futbollin shqiptar.

Një përvjetor jubilar që mblodhi figura të rëndësishme të sportit, ish-futbollistë legjendarë dhe përfaqësues të institucioneve, duke reflektuar mbi kontributin e jashtëzakonshëm që Partizani ka dhënë ndër dekada në zhvillimin e futbollit në vend.

Në fjalën e tij, presidenti i FShF vlerësoi historinë, trashëgiminë dhe transformimin e klubit ndër vite, duke theksuar rëndësinë e vizionit, stabilitetit dhe investimeve që e kanë shndërruar Partizanin në një model modern menaxhimi dhe zhvillimi sportiv.

Kreu i futbollit shqiptar shprehu mirënjohjen për presidentin e KF Partizanit, Gazment Demi për punën e bërë, si edhe figurat e mëdha që kanë luajtur futboll për Partizanin.

“Kam nderin të jem pjesë e datëlindjes së një prej klubeve më të mëdhenj në Shqipëri. Partizani në 8 dekada ka kontribute të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar. Nga themelimi e deri sot ka kaluar në forma të ndryshme të organizimit, që nga ajo shtetërore, shoqata dhe sot është një shoqëri aksionare me pronar të vetëm Gazment Demin dhe familjen e tij”, tha Duka.

Presidenti i FShF falënderoi Demin për drejtimin, vizionin, stabilitetin që i ka dhënë klubit dhe për investimet që ka bërë për Partizanin.

Duka gjithashtu u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë luajtur futboll për Partizanin.

“Do të rikujtoja disa nga ato figura shumë të mëdha: mbretin e futbollit shqiptar, Panajot Panon, Lin Shllakun, kapitenin e 15 viteve dhe bashkëpunëtorin tim për shumë kohë, Ilir Shulkun, Ylli Shehun, Genc Tomorrin, Ledio Panon e shumë e shumë emra të tjerë që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar dhe Partizanit”, tha Duka.

Duka shtoi se, “në këtë kompleks do të luhen edhe ndeshjet finale të Kampionatit Europian për nën 21-vjeçarët në 2027 falë investimeve të Gazit, familjes Demi, qeverisë shqiptare dhe FShF-së”.

Duka vlerësoi edhe Akademinë e Partizanit, si një nga më të mirat në Shqipëri, që prodhon talente dhe që e bën akoma më të sigurt të ardhmen e tij në futboll.

“I uroj shumë suksese, i shpreh mirënjohjen dhe njëherë atyre që kanë kontribuar te Partizani, i ftoj të vazhdojnë ta mbështesin me po të njëjtin zell Partizanin gjithë tifozët e Partizanit në të gjithë Shqipërinë. Suksese dhe sa më shumë rezultate dhe fëmijë të veshin fanellën e Partizanit dhe të luajnë futboll”, tha Duka, në fjalën e tij të rastit të mbajtur në ceremoninë festive të 80-vjetorit të themelimit të KF Partizani.