Mitrovica dhe veriu i vendit janë pjesë e pandashme e territorit të Kosovës. Kështu tha e para e shtetit Vjosa Osmani, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial.
“Jam e bindur që edhe nga ai , duke e ditur rëndësinë e Mitrovicës, rëndësinë e krejt kësaj pjese për shtetin tonë, do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës, ta ruajmë integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani.
Trashëgimia kulturore dhe historike e veriut, sipas Osmanit, gjithmonë do ta kenë mbështetjen e shtetit, ndaj edhe kërkojnë bashkëpunim ndërinstitucional.
Gjatë takimit me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, u nënvizua fakti se problemet dhe sfidat do të adresohen gradualisht përmes institucioneve lokale dhe qendrore, duke pasur në fokus edhe mirëqenien e qytetarëve që jetojnë në këto anë.
“Ky qytet, qyteti ku jemi rritur, ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shkak të bukurive natyrore që ia ka falë zoti, por edhe për shkak të traditës që e ka, potencialit që e kanë njerëzit e Mitrovicës në çdo fushë, dhe për shkak të historisë. Tani, sidomos gjeneratat e reja presin që të ecin përpara, presin që të zhvillohen, presin që të krijohen vende të reja të punës”, deklaroi presidentja.
“Diskutuam për nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, por njëkohësisht edhe për nevojën më të madhe të mbështetjes institucionale që i duhet Mitrovicës, duke filluar nga Zyra e Presidentes e qeverisë, për të cilët kohët e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm”, tha Faton Peci, kryetar i Mitrovicës.
Pavarësisht progresit të deritanishëm, Peci shtoi se komuna ka ambicie më të mëdha për zhvillimin e qytetit dhe se është pozitive që Mitrovica po gëzon vëmendje më të shtuar nga institucionet qendrore.
Gjatë vizitës në Mitrovicë, presidentja takoi edhe fëmijët e çerdhes “Gëzimi ynë”.



Të tjera
Bakteret mund të depërtojnë deri në tru, lani dhëmbët!
Disa ushqime e parandalojnë kancerin e pankreasit
Jo alkool për t’ju marrë gjumi