Një sulmues i armatosur hapi zjarr gjatë një meshe mëngjesin e së mërkurës në një shkollë katolike në Mineapolis, duke vrarë dy fëmijë dhe duke plagosur 17 të tjerë, thanë zyrtarët.
Sulmuesi më pas ka vrarë veten.
Shefi i policisë në Mineapolis, Brian O’Hara, tha se sulmuesi – i armatosur me pushkë dhe pistoletë – iu afrua pjesës së kishës dhe nisi të shtinë nga dritaret drejt fëmijëve që ishin ulur në meshë, në shkollën katolike.
Hennepin Healthcare, spitali kryesor i traumave në Mineapolis, tha se ka pranuar 11 pacientë, përfshirë nëntë fëmijë dhe dy të rritur, pas të shtënave. Katër pacientë u janë nënshtruar operimit.
Fëmijët që janë dërguar në këtë spital ishin të moshës nga gjashtë deri në 14 vjeç.
Shefi i policisë tha se të shtënat ishin “akt i qëllimshëm i dhunës kundër fëmijëve të pafajshëm”.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, më herët e cilësoi ngjarjen, që ndodhi në javën e parë të mësimit, si “të tmerrshme”.
Autoritetet në qytetin e Mineapolisit thanë më herët po ashtu se sulmuesi i dyshuar është neutralizuar, pas të shtënave në shkollën katolike, duke shtuar se nuk ka më “kërcënim” për banorët.
Walz shkroi në rrjetet sociale se është informuar nga autoritetet për të shtënat.
“Lutem për fëmijët tanë dhe mësuesit, java e parë e të cilëve u shënua nga ky akt i tmerrshëm i dhunës”, shkroi Walz në X.
Bill Bienemann, që jeton jo larg shkollës, tha se ka dëgjuar të shtëna, ndoshta 50, që zgjatën për katër minuta.
“U trondita. Thash se nuk ka mundësi që këto të jenë të shtëna. Kishte shumë të shtëna”, tha ai.
Shkolla, ku ndodhën të shtënat, është evakuuar dhe familjarët e nxënësve më pas janë dërguar në një zonë afër për t’u takuar t’u ribashkuar me fëmijët e tyre.
Jashtë shkollës është parë prani e madhe e forcave policore.
Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Truth Social se është informuar për “të shtënat tragjike”, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë ta monitorojë situatën.
E themeluar në vitin 1923, shkolla që ofron mësim nga niveli parashkollor deri në klasën e tetë. Shkolla, sipas ueb-faqes së saj, kishte planifikuar mbajtjen e një meshe mëngjesin e së mërkurës, në orën 08:15, sipas kohës lokale.
Të hënën ishte dita e parë e mësimit.
Të shtënat në Mineapolis ishin incidenti i fundit në një seri të ngjarjeve vdekjeprurëse në qytet brenda më pak se 24 orëve. Një person u vra dhe gjashtë të tjerë u lënduan të martën pasdite jashtë një shkolle të mesme në Mineapolis. Disa orë më vonë, dy persona vdiqën në dy të shtëna të tjera në qytet.
Të shtënat në shkollë të mërkurën ndodhën pas një vale të thirrjeve të rreme për të shtëna në disa kampuse amerikane. Paralajmërimet e rreme detyruan universitetet që të dërgonin mesazhe me udhëzimet për studentët që të largoheshin nga objektet mësimore, teksa në SHBA këtë javë nisi viti shkollor.
Të tjera
Çeku synon transformimin e kryeqytetit
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia rrisin mbrojtjen përmes blerjeve nga ShBA-ja
Gazetarja vizuale që dokumentoi Ga*zën e u vr*a në një su*lm ajror nga Iz*raeli