Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride `Octopus`, Arben Fetoshi, thotë se pas dështimit të Radojçiqit dhe paramilitarëve të tij, si rezultat i efikasitetit të institucioneve të sigurisë në koordinim me aleatët, Serbia e ka vazhduar luftën speciale me instrumente të sofistikuara si dezinformimi, viktimizimi, mashtrimi diplomatik dhe rrjeti i spiunazhit në Kosovë, transmeton KosovaPost.
“Dy vjet pas inkursionit në Banjskë të Zveçanit, të kornizuar si sulm terrorist kundër rendit kushtetues të Kosovës, Ballkani vazhdon nën kërcënimin e apetiteve shoviniste të Serbisë dhe boshtit revizionist në krye me Rusinë. Qëllimi i pandryshuar për sabotimin e Republikës së Kosovës, veç sa i ka ashpërsuar metodat perfide të manipulimit dhe mobilizimit nacionalist. Pas dështimit të Radojçiqit dhe paramilitarëve të tij, si rezultat i efikasitetit të institucioneve të sigurisë në koordinim me aleatët, Serbia e ka vazhduar luftën speciale me instrumente të sofistikuara si dezinformimi, viktimizimi, mashtrimi diplomatik dhe rrjeti i spiunazhit në Kosovë”, ka shkruar Fetoshi në ‘Facebook’.
Sipas tij, pas sanksionimit të Radojçiqit dhe rrjetit të tij kriminal nga SHBA-të dhe pas veprimeve institucionale për rend dhe ligj në veri, Serbia provoi skenarin e një kaosi të kontrolluar, për ta imponuar një kordon sigurie që do të çonte në suspendimin e institucioneve të Kosovës, përmes ndërhyrjes së KFOR-it dhe rifuqizimit të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.
Prandaj, ka shtuar më tutje Fetoshi, përmes dezinformimit dhe aktiviteteve të tjera hibride, Serbia synonte jo vetëm ruajtjen e kontrollit mbi veriun, por edhe shmangien e përgjegjësisë përballë drejtësisë ndërkombëtare, sidomos në çështjen e të zhdukurve gjatë luftës.
“Duke e zhvendosur vëmendjen te “rreziqet ndaj serbëve”, ajo e ka mbuluar vazhdimisht përgjegjësinë për këtë plagë ende të hapur të luftës. Ndërkohë, institucionet e sigurisë kanë zbuluar po ashtu një rrjet të gjerë spiunazhi të Serbisë, i cili nuk kufizohet vetëm në Kosovë, por edhe në struktura të institucioneve ndërkombëtare. Duke forcuar gjithnjë e më shumë lidhjet me Rusinë dhe Kinën, Serbia ka manifestuar gjatë kësaj kohe edhe orientimin strategjik anti-perëndimor, në shërbim të një agjende që e sheh si mundësi për projektin e saj të “Botës Serbe”. Pra, dy vjetori i sulmit terrorist në Banjskë nuk na shërben si përkujtim i një beteje të dështuar të Serbisë, por na duhet si reflektim për rrezikun që vazhdon të paraqesë ajo. Koordinimi i saj me Rusinë përbën kërcënimin më serioz për paqen në Kosovë dhe rajon”, tha ai.



Të tjera
Njihuni me disa përfitime shëndetësore për trupin tuaj kur agjëroni
Sa orë gjumë i duhen njeriut për jetë të shëndetshme
Misri i zier, ilaç dhe vakt i shëndetshëm