Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen e sektorit të energjisë në vend, duke e cilësuar atë si një prej fushave më të keqmenaxhuara nga Qeveria Kurti dhe të mbushur me afera korruptive.
Sipas tij, paralajmërimet që opozita i kishte bërë katër vite më parë tashmë janë bërë realitet, pasi vendi po përballet me sasi të paprecedentë të importit të energjisë.
“Fatkeqësisht, atë që ne kemi parashikuar para katër vjete, kanë rezultuar të vërteta. Kurrë në historinë tonë, nuk kemi importuar kaq shumë energji dhe atë me bazë të dyshimtë,” deklaroi Shala.
Ai theksoi se keqmenaxhimi ka shkaktuar rënie të prodhimit dhe mirëmbajtjes, ndërsa interesat e institucioneve shtetërore janë orientuar drejt kompanive private të lidhura politikisht.
“Ky sektor është keqmenaxhuar, ka ra niveli i prodhimit, i mirëmbajtjes dhe janë rritë interesat e institucioneve shtetërore për me ble energji përmes dorës së zgjatur të kompanive që i ka krijuar enkas për këtë punë. Statistikat zyrtare e tregojnë që kurrë, në 5 vitet e fundit, nuk e kemi pasë shkallën më të lartë të importeve në sektorin e energjisë”, tha Shala.
Shala paralajmëroi se gjatë dimrit pritet vazhdim i importeve të energjisë nga kompani të dyshimta, disa prej të cilave janë nën hetim.
“Në këtë dimër, nuk them që ka me pasë reduktime, sepse këta janë përgatitur që të importojnë. Pra, janë duke importuar prej kompanive të dyshimta që tash janë në hetuesi, p.sh. kompania NOA, kompani që sot janë në proces e ku kanë lidhje të afërta me këshilltarë e ambasadorë të kryeministrit Kurti.”
Deputeti i PDK-së paralajmëroi gjithashtu rritje të re të tarifave të energjisë, duke akuzuar rregullatorin për mungesë pavarësie dhe për shërbim ndaj interesave të pushtetit.
“Ju garantoj që i gjithë sektori energjetik, edhe me të ashtuquajturin rregullator të pavarur, që s’është më i pavarur, na pret që brenda muajit Prill/Maj me pas prapë rritje. Në kohën kur do të rishqyrtohen tarifat, do të kemi rritje të energjisë elektrike”, shtoi ai.
Në përfundim, Shala e quajti sektorin e energjisë “kupolën korruptive” të Qeverisë Kurti, duke theksuar se ky sektor po dëmton rëndë ekonominë e vendit.
“Sektori i energjisë është sektori që më së shumti ka dëmtuar dhe po e dëmton bazën ekonomike të vendit dhe është kupola korruptive e Qeverisë Kurti”, tha Shala.
Intervista e plotë:



Të tjera
Kështu thonë pediatrit kur është fjala për zgjedhjen e dhuratave për fëmijë
Protestë në Strasburg më 16 nëntor kundër procesit në Hagë
BE shqyrton trajnimin e 3.000 policëve palestinezë për G@zën