Rama pas vizitës në Hagë: E kam gjetur komandantin të qetë, në formë e me karakter të hekurt

E kam gjetur komandantin të qetë, në formë e me karakter të hekurt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vizitës së tij në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij si një “teatër turpi të drejtësisë ndërkombëtare”.

Sipas Ramës, Thaçi është “rrëmbyer pa gjyq e pa akuzë” nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar gjithë procesin si një farsë që, sipas tij, e ka zanafillën në pretendime për trafik organesh të ngritura vite më parë në instanca ndërkombëtare.

Në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se “Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”.

 

Ai ka theksuar se gjatë takimit e ka gjetur Thaçin të qetë dhe në gjendje të mirë shpirtërore, pavarësisht, siç është shprehur, kufizimeve “absurde” të të drejtave minimale që i janë vendosur kohët e fundit. Rama ka bërë të ditur se me Thaçin ka biseduar për familjen, miqtë e përbashkët, Kosovën, Shqipërinë, si dhe për libra që i ka dhuruar gjatë vizitave.

“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”, shkruan ai

Në prill të vitit 2023 ka nisur procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës, pati sjell në gjykatore rreth 125 dëshmitarë, ndërkaq është mbështetur në mbi 100 dëshmi me shkrim.

 

Gjatë vitit janë organizuar pesa protesta, në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.