Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e mbijetuara e masakrës së Poklekut, Elhame Muqolli u ka drejtuar një letër të hapur Institucioneve të Republikës së Kosovës.
Muqolli kërkon që fëmijët e vrarë të mos mbesin vetëm numra të panjohur.
Ajo shkroi se në ditën kur bota i kushton gëzimit dhe të drejtave të fëmijëve, ndjen dhimbje të thellë për mijëra fëmijë që u vranë gjatë luftës në Kosovë.
Duke shtuar se edhe sot 26 vjet më pas nuk kanë emra në memorien institucionale, dhe shpesh sipas saj as nuk përmenden.
Postimi:
Letër e Hapur për Institucionet e Republikës së Kosovës
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershor
Sot, në një ditë që bota ia ka kushtuar gëzimit dhe të drejtave të fëmijëve, unë ndjej dhimbjen e thellë të fëmijërisë së mohuar – jo vetëm timen, por të mijëra fëmijëve të Kosovës që u vranë mizorisht gjatë luftës, dhe që ende sot, 26 vjet më pas, nuk kanë përfaqësim shtetëror, nuk kanë emra në memorien institucionale, dhe shpesh – as nuk përmenden.
Por ajo që dhimbjen e bën edhe më të rëndë është heshtja institucionale. Si është e mundur që pas gjithë këtyre viteve, nuk kemi ende një listë zyrtare, të plotë dhe të verifikuar të fëmijëve të vrarë gjatë luftës? Si është e mundur që shteti ynë – që u ngrit mbi gjakun e fëmijëve tanë – t’i harrojë ata?
Në këtë ditë të fëmijëve, nuk kërkoj festë. Kërkoj përgjegjësi. Kërkoj që fëmijët e vrarë të mos mbesin numra të panjohur apo faqe të bardha në dosjet shtetërore. Kërkoj që institucionet të marrin guximin të ballafaqohen me të kaluarën, t’i japin dinjitet viktimave të pafajshme, dhe të ndërtojnë një kulturë kujtese e drejtësie.
Fëmijët e vrarë gjatë luftës nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës – ata janë një borxh moral që e kemi për të ardhmen tonë.
Me dhimbje dhe me shpresë,
Elhame Muqolli
E mbijetuar e masakrës së Poklekut
1 Qershor 2025
Të tjera
Çeku synon transformimin e kryeqytetit
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia rrisin mbrojtjen përmes blerjeve nga ShBA-ja
Gazetarja vizuale që dokumentoi Ga*zën e u vr*a në një su*lm ajror nga Iz*raeli