Rama bëhet horë për koeficientet e Kalabrisë

E premtoi për sivjet, Përparim Rama s’e fut tramin elektrik në buxhet

“Prej vitit të ardhshëm linja e re në funksion”. Ky kishte qenë premtimi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama gjatë fushatës zgjedhore në shtator të vitit 2025, gjersa kishte ndarë planin e qarkullimit të Tramit elektrik.

Ai kishte treguar dizajnin e tij si dhe kapacitetin për 300 persona, gjersa në prezantim shpjegohej se trami do të kalonte nga Stacioni në Fushë-Kosovë në zonën industriale, përmes qendrës së kryeqytetit në rrugën “Bill Cliton” e deri në fillimin e rrugës C.

Mirëpo, ky projekt që Rama kishte premtuar se do të përfundonte në qershor, nuk është përfshirë fare në buxhetin e komunës për vitin 2026, që u miratua së fundmi.

Arsyet për mos përfshirjen e këtij projekti nuk i ka sqaruar komuna.

Ekspertë të komunikacionit vlerësojnë se projekti është vështirë i realizueshëm këtë vit edhe sikurse më shumë se gjysma e buxhetit do të destinohej për të.

“Dhënia e afatit të tillë deri në qershor të 2026 kur është premtu ka qenë një afat i shkurtër në kuptimin e fizibilitetit, ndarjen e mjeteve buxhetore. ndërtimin dhe realizimin. Tash jemi në muajin shkurt dhe gjasat për ta funksionalizuar atë janë mos të them zero, por minimalisht të ulëta. Në aspektin e kostos janë projekte që kushtojnë dhe janë projekte që në qytetet kur në planifikimet e tyre të hershme nuk kanë pasur hapsirë apo nuk paraparë hapsirat për mjete binare, është e pamundur të realizohet në të njëjtin nivel”, ka thënë Visar Baxhuku – Ekspert i komunikacionit.

Të po të njëjtit mendim shprehen edhe njohës të ekonomisë, të cilët vlerësojnë se mungesa e institucioneve vitin e kaluar ndikoi në vështirësitë e realizimit të projekteve siç është ky.

“Mungesa e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, qoftë me Bankën Botërore, qoftë nga fondet për zhvillim të Ballkanit Perëndimor, qoftë edhe të Bankës Evropiane për zhvillim, do gjenerojnë efekte negative sepse nuk ka involim të sektorit privat, nuk ka dialog të mirëfillt. Jemi në vitin 2026 dhe kemi humbur shumë. Ç’ka është interesante është se ndoshta do kemi zhbllokim të këtyre fondeve në mirëbesim, por pjesa e dytë dhe e tretë e fondeve s’ka për të qenë në performancë dhe do jetë e vështirë ta bindim faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Safet Gerxhaliu – Ekonomist.

Në vende perëndimore, sipas kompanive që merren me këtë infrastrukturë, ndërtimi i një trami elektrik në përgjithësi kërkon nga 2 deri në 15 vjet kohë, përfshirë planifikimin, legjislacionin dhe madhësia e projektit/ dukagjini