“Hajde dalim në shesh të burrave”, Berisha fton Ramën në një debat

E prisja këtë vendim, Rama diktoi Kushtetuesen. Nesër mblidhet me urgjencë Kryesia e PD, do nisim…

Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë Foltores së radhës të mbajtur në Elbasan, komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që riktheu në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Berisha tha se e priste që Balluku të rikthehet në detyrë. Ai shtoi se kryeministri Edi Rama e diktoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese.

Berisha theksoi se PD do të nisë revoltat pa kthim deri në rrëzimin e qeverisë.

“Ne do të ngrihemi dhe nuk do të ndalemi. Ne do të ngrihemi me ata që janë gati. 3 mijë shqiptarë janë gati që nesër. Nuk rrihet më. Urdhëro e liroi, për tu zgjedhur kryetari i SKAP-it duhet të shkojë e gjithë bota. Do ti kundërvihemi Edi Ramës, është në gjak me ne për votën, o do fitojmë për votën e lirë ose do të shuhemi.

Nesër në drekë mblidhet kryesia e PD, fillojnë revoltat dhe nuk ndalen deri në largimin e Edi Ramës. Ne do jemi ditë e natë çdo ditë, para kryeministrisë derisa të rrëzojmë Edi Ramën”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Sali Berisha në fjalën e tij në këtë takim nënvizoi se kryeministri Edi Rama ka vjedhur zgjedhjet dhe se nuk ka fituar kurrë zgjedhjet.

“35 vite më parë qytetarët në Elbasan u ngritën kundër diktaturës, për të sjellë demokraci në vend. Qytetarët nuk u ndalën as nga tanket dhe as ushtria represive e regjimit të Hoxhës. Në atë kohë, me guxim u themelua në Elbasan, Partia Demokratike e Shqipërisë. Ne demokratët jemi njerëz të idealeve dhe u ngritëm në vitin 1990 për interesin kombëtar. Ne jemi të pamposhtur. Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Këto vetëm zgjedhje nuk quhen, ishin të vjedhura nga fundi në krye. Zgjedhjet u blenë me para droge. Edi Rama kurrë nuk fitoi zgjedhje, i rrëmbeu me dhunë e me forcë. Unë e kisha thënë me kohë që me Ramën nuk ka zgjedhje, por unë u zotova se do ta mbroj votën. E mbrojtëm votën, këtë e bëmë në të gjithë Shqipërinë gjatë periudhës së verës. Jemi në pjesën më kritike të historisë së PD-së. Duhet ta kuptojmë se pa votë të lirë, ne të ardhme nuk kemi. Revoltë, revoltë deri në fitore. Jemi këtu për t’i bërë ballë shkombëtarizimit të vendit. Duhet të mbrojmë vlerat e forta të familjes”, tha Berisha.

Kreu demokrat Sali Berisha po mban Foltoren e radhës në Elbasan, pasi mbajti tre Foltore përpara Kryeministrisë dhe një në Mirditë.