Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar pas shfaqjes së një banderole provokuese dhe të papranueshme nga tifozët e Lech Poznań në ndeshjen e mbrëmshme të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës.
Gjatë kësaj ndeshje, në tribunën e tifozëve polakë u shfaq një parullë me mesazhin “Kosova është Serbi”, ndërsa klubi serb më pas e falënderoi publikisht Lech Poznań-in dhe tifozët e tij për atë që e quajti “përkrahje vëllazërore”.
“Federata e Futbollit e Kosovës i cilëson këto akte si provokim të rëndë politik, të turpshme e të papranueshme në një ngjarje sportive dhe shkelje flagrante të rregullave dhe parimeve të UEFA-s, e të cilat ndalojnë çdo lloj mesazhi politik apo diskriminues në stadiume. Këto janë sjellje që nuk i shërbejnë futbollit dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe cenim të integritetit sportiv”, thuhet në reagimin e shtëpisë së futbollit kosovar.
Tutje në reagim thuhet se FFK, menjëherë pasi ka vërejtur një shkelje të tillë, ka nisur procedurën e paraqitjes së ankesës zyrtare në UEFA, duke kërkuar masa disiplinore ndaj klubit Lech Poznań, përgjegjës për sjelljen e tifozëve të tij, si dhe ndaj Crvena Zvezdës për deklaratat publike që nxisin dhe legjitimojnë mesazhe kundër shtetit të Kosovës.
“FFK, si anëtare e UEFA-s, mbron dhe promovon vlerat që futbolli duhet të mbetet jashtë provokimeve politike dhe duhet të shërbejë si urë bashkimi, e jo përçarjeje, por kërkon me ngulm që këto parime të mbrohen edhe nga federatat tjera anëtare”, thuhet më tej në reagim.



Të tjera
Humbni peshë duke ndjekur dietën me bazë xhinxheri
“I hidhur lajmi”, të vr@rin në Klinë e kishte bashkëluftëtar, reagon Haradinaj
VLEN është bashkimi që nuk ndalet, shqiptarët drejt unitetit