Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan në Kosovë një qeveri me të cilën ndajnë prioritete të përbashkëta. Kështu s’po ndodh aktualisht, siç dëshmoi dje ish-ambasadori Jeffrey Hovenier, i cili tha si Administrata Biden, ashtu edhe Administrata Trump, kanë “shqetësime për cilësinë e partneritetit me kryeministrin në detyrë, Kurti” dhe se marrëdhëniet nuk janë të mira. Ai tha se “nuk kanë ndërmend të braktisin partneritetin me popullin e Kosovës”, duke theksuar dallimin që e bëjnë në Washington mes qeverisë dhe njerëzve. Ambasada amerikane tha gjithashtu të hënën se do janë të përkushtuar ndaj popullit të Kosovës.
Gazeta Express
SHBA-ja e ka pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
Pak ditë më pas, ambasada amerikane në Kosovë tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë “mike e afërt e popullit të Kosovës”.
Ambasada amerikane u tha mediave të hënën se e Ngarkuara me Punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati, ka takime të rregullta me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, deklaratat dhe veprimet e të cilit u përmendën si arsye në një njoftim javën e kaluar.
“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mike e ngushtë e popullit të Kosovës dhe jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Ne dëshirojmë të ecim përpara me Qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që e kupton domosdoshmërinë për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar të avancojë stabilitetin rajonal dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë t’i vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, tha ambasada.
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha të mërkurën se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh të SHBA-së ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar veçanërisht kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se si Administrata Biden, ashtu edhe Administrata Trump, kanë “shqetësime për cilësinë e partneritetit me kryeministrin në detyrë, Kurti” dhe kanë prioritete që bien në kundërshtim me ato të Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Hovenier tha se SHBA-ja dhe populli amerikan janë të përkushtuar ta mbështesin popullin e Kosovës. Tha se në institucionet amerikane ka ekspertë që i kushtojnë vëmendje të veçantë vendit të vogël ballkanik, për të cilin tha se “mbetet interes i SHBA-së”.
“Jemi krenarë për ndihmën që i kemi dhënë popullit të Kosovës për të konsoliduar dhe krijuar shtetin e tij, dhe duam ta shohim Kosovën të suksesshme”, tha ai.
Kosovarëve të zakonshëm, që mund të shqetësohen me këtë ngecje në marrëdhëniet me SHBA-në, Hovenier ua dha një mesazh: “Do t’u thosha këtë: Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të braktisin partneritetin me popullin e Kosovës. Por ,ne bëjmë dallimin midis përkushtimit tonë ndaj Kosovës – shtetit, popullit dhe institucioneve – dhe çdo qeverie të veçantë. Dhe, është e qartë se administrata e Trumpit ka shqetësime për cilësinë e partneritetit me Qeverinë e kryeministrit në detyrë, Kurti”.
Të tjera
Mosmarrëveshje me Fodan? Emir Sahiti sqaron situatën
Asambleja e OKB-së thërret liderët botërorë – Osmani mes tyre në New York
Më 22 shtator dëshmitari i ri i mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët