Egjipti shton përpjekjet për të ndalur lu*ftën në Gaza, shpreson për marrëveshje sa më shpejt

Egjipti shton përpjekjet për të ndalur lu*ftën në Gaza, shpreson për marrëveshje sa më shpejt

Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, deklaroi të shtunën se Egjipti po ushtron presion maksimal për t’i dhënë fund ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, raportoi Anadolu.

“Po ushtrojmë gjithë forcën tonë për të ndalur luftën në Gaza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për ndalimin e gjakderdhjes sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Abdelatty në një konferencë për media në Kajro, përkrah ministrit të Jashtëm gambian, Mamadou Tangara, sipas Al-Qahera News Channel.

Ai theksoi nevojën urgjente për qasje të plotë dhe pa kufizime të ndihmave humanitare në Gaza, duke shtuar se “është e papranueshme që uria të përdoret si armë kundër palestinezëve”.

Nga ana e tij, Tangara tha se situata në Gaza është “jashtëzakonisht e rëndë” për shkak të agresionit izraelit, dhe vlerësoi rolin e Egjiptit në promovimin e stabilitetit rajonal.

Izraeli ka mbajtur të mbyllura të gjitha pikat kufitare që nga 2 marsi, duke bllokuar hyrjen e ushqimeve, ilaçeve, karburantit dhe ndihmave të tjera jetike për 2.4 milionë banorët e Gazës.

Tel Avivi ka ndjekur një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori 2023, ku janë vrarë afro 54,400 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar rrezikun e urisë për më shumë se 2 milionë njerëz në territorin e rrethuar.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet ndaj civilëve palestinezë në enklavë. /mesazhi