Ekspertët: Armët ilegale, rrezik i vazhdueshëm për sigurinë në Kosovë!

Policia e Kosovës në Mitrovicë, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka zhvilluar një aksion në afërsi të sheshit “Car Lazar”.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në podrumin e një ndërtese u sekuestruan armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale. Policia ka konfirmuar se hetimet po vazhdojnë për të zbuluar prejardhjen e armëve dhe lidhjet e mundshme të tyre me aktivitetet kriminale në veri.

Ky aksion vjen në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e dukurive të paligjshme në këtë pjesë të vendit.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta operative dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, një kondak pushke, një palë pranga, një mbajtës pushke, një maskë kundër helmeve me çantën e saj, një këllëf arme dhe pesë karikatorë të zbrazët”.

Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, tha se Policia e Kosovës po kryen punë të pandërprerë dhe po arrin suksese operative duke zbuluar armë ilegale në veri të Mitrovicës.

Ai shtoi se këto armë janë mbetje të grupeve kriminale që organizuan sulmin në Banjskë, duke përmendur Milan Radoiçiqin dhe grupet e tij, të cilët sipas tij ende shëtisin të lirë në Serbi.

Image

Arben Dashevci

“Duke pasur parasysh punën e saj operative që e bënë në 24/7, Policia e Kosovës dhe në bazë të suksesit operativ në terren ajo vazhdon të gjejë armë ilegale në pjesët matanë lumit Ibër të Mitrovicës.

Unë mendoj janë ato armë që kanë mbetur nga grupet kriminale që na cenuan sigurinë kombëtare të Kosovës, shkaktuan Banjskën, dihet mirëfilli se kush janë ata, pra krimineli Radoiçiq me grupet e tij kriminale që ende shëtiten të lirë në Serbi atje”, shprehet ai.

Kurse, për rastin e fundit, thotë se rrit shqetësimet për sigurinë lokale.

Ai thekson se armët ilegale mbeten rrezik edhe në të ardhmen dhe sugjerojnë masa parandaluese si: sensibilizimi i qytetarëve, fushata vetëdijësuese, amnisti të përkohshme për dorëzim armësh dhe bashkëpunim më të madh mes policisë e komunitetit.

“Së fundmi, kanë gjetur armë në podrumin e një ndërtese në pjesën matanë lumit Ibër në Mitrovicë ose në qendër të saj.

Armët ilegale në duart e qytetarëve pa dallim se ku gjinden ato gjithmonë kanë paraqitur rrezik dhe do të jenë të rrezikshme edhe në ardhmëri.

Këto armë dhe municione në zonat urbane matan lumit Ibër të Mitrovicës normalisht që shkaktojnë shqetësime për sigurinë lokale atje duke pasur parasysh se në çfarë kemi kaluar vite më parë si shtet me ato grupe që përmenda.

Metodat për parandalimin e armëve ilegale sipas mendimit timë janë: sensibilizimi i qytetarëve përmes mediave/portaleve lokale, përmes policimit në bashkësi bisedat konstane me qytetarë lokal, tryezat e ndryshme me komunitet ku qëllim kanë parandalimin e dukurive ilegale, vetëdijësimi i tyre, mediat luajnë rolin e tyre gjithashtu në vetëdijësim, bashkëpunimi qytetarë- polici, amnisti e përgjithshme për një periudhë ta caktuar psh 1 mujore për dorëzimin e armëve ilegale etj.

Unë mendoj që suksesi nuk do të mungonte, sepse me qasje proaktive arrihet suksesi i kërkuar që nga situata e brishtë ta kalohet në situatë normale në aspekt sigurie e kam fjalën” – përfundon ai.

Gecaj: Rreziku për sigurinë lokale

Kurse, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj zbulimin e armëve në veri të Mitrovicës, e ka quajtur një kujtesë serioze të sfidave për sigurinë dhe stabilitetin në vend.

Ai theksoi se armët ilegale në zona urbane përbëjnë rrezik të madh për qytetarët, nxisin tensione ndëretnike dhe minojnë autoritetin e institucioneve të Kosovës.
Image

Hysen Gecaj

Zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, përfshirë zbulimin e një sasie armësh në një podrum ndërtese, janë një kujtesë serioze e sfidave të vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin në këtë pjesë të vendit. Edhe pse Policia e Kosovës ka reaguar në mënyrë profesionale dhe ka njoftuar se hetimet janë ende në vazhdim, fakti që armë dhe municione po gjenden në zona urbane ngre shqetësime të mëdha.

Gjetja e armëve ilegale në zona të banuara urbane paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për:

Sigurinë e qytetarëve: Armët në duar të gabuara mund të përdoren në akte kriminale, konflikte lokale ose sulme të organizuara, siç e kemi parë në të kaluarën.

Përshkallëzimin e tensioneve ndëretnike: Veriu i Kosovës është një zonë me ndjeshmëri të lartë ndëretnike dhe gjetja e armëve mund të kontribuojë në rritjen e frikës, pasigurisë dhe polarizimit.

Stabilitetin institucional: Prania e armëve ilegale minon autoritetin e institucioneve të sigurisë dhe ligjit, dhe krijon hapësirë për grupe të jashtëligjshme që synojnë destabilizim.”, thotë ai.

Metodat për parandalimin e armëve ilegale

Më tej, ai thekson se përballimi i armëve ilegale kërkon një qasje të koordinuar dhe afatgjatë.

Ai përmend si masa kyçe: hetimet e thelluara, fushatat për dorëzim vullnetar, forcimin e kontrollit kufitar, angazhimin e komunitetit dhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Për të përballuar këtë sfidë, nevojitet një qasje e koordinuar dhe afatgjatë. Disa nga metodat më efektive për parandalimin e armëve ilegale janë:

Operacionet e inteligjencës dhe hetimeve të thelluara: Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive të sigurisë për të identifikuar rrjete të mundshme të trafikimit të armëve.

Fushata për dorëzimin vullnetar të armëve: Promovimi i fushatave për dorëzimin e armëve pa ndëshkim, të mbështetura nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Kontrolli i kufirit dhe ndalimi i kontrabandës: Forcimi i mbikëqyrjes në pikat kufitare, veçanërisht në zonat e njohura për kontrabandë.

Angazhimi i komunitetit lokal: Rritja e besimit mes komunitetit dhe institucioneve përmes përfshirjes së shoqërisë civile dhe liderëve lokalë në çështje të sigurisë.

Mbështetja ndërkombëtare: Bashkëpunimi me misionet ndërkombëtare si EULEX, KFOR dhe partnerët euroatlantikë për të garantuar një qasje të bashkërenduar.

Siguria është parakusht për paqe të qëndrueshme dhe zhvillim demokratik. Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të vendosura në ruajtjen e rendit dhe ligjit, ndërsa qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, kanë të drejtë të jetojnë të sigurt në vendin e tyre”, përmbyll ai.