Ekspertët e OKB-së i bënë thirrje FIFA-s dhe UEFA-s që të pezullojnë ekipin kombëtar të futbollit të Izraelit nga garat ndërkombëtare, duke thënë se kjo është një “përgjigje e nevojshme për të adresuar gjenocidin e vazhdueshëm në territorin e pushtuar palestinez”, transmeton Anadolu.
“Përfundimi i Komisionit Hetimor të Kombeve të Bashkuara mbi Territorin e Pushtuar Palestinez, përfshirë Kudsin Lindor dhe Izraelin, se Izraeli po kryen gjenocid, është i fundit në një numër në rritje të organeve ndërkombëtare që pohojnë se po kryhet gjenocid”, thanë ekspertët. Ata kujtuan se urdhri i përkohshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 26 janarit 2024 i kujtoi çdo vendi detyrën e tij ligjore për të vepruar kundër gjenocidit.
“Sporti duhet të hedhë poshtë perceptimin se është punë e zakonshme”, thanë ata. “Organet sportive nuk duhet të mbyllin sytë ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, veçanërisht kur platformat e tyre përdoren për të normalizuar padrejtësitë”.
Ekspertët sqaruan se thirrja synon shtetin e Izraelit dhe jo lojtarët individualë, duke thënë: “Ne gjithmonë kemi pohuar se individët nuk mund të mbajnë pasojat e vendimeve që merr qeveria e tyre”.
Ata i kërkuan më tej FIFA-s të “ndalojë legjitimimin e situatës që rrjedh nga prania e paligjshme e Izraelit në Territorin e Pushtuar Palestinez”, duke theksuar: “Ekziston një imperativ ligjor dhe moral për të marrë çdo masë të mundshme për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza tani”.



Të tjera
Premierliga në aksion qysh sonte, ndeshje interesante në program
Kosi ndihmon në luftimin e diabetit
Viti 2025 historik për karatenë kosovare