Ekspertët zbulojnë ndryshimin e thjeshtë të një shprehie që mund të ulë rrezikun e zhvillimit të demencës

Të kesh një ndjenjë qëllimi në jetë mund të ulë rrezikun e zhvillimit të demencës, sëmundja që dëmton kujtesën, sugjeron një studim i ri.

Një studim i botuar në The American Journal of Geriatric Psychiatry ndoqi mbi 13,000 të rritur të moshës 45 vjeç e lart për një periudhë deri në 15 vjet.

Pjesëmarrësit iu përgjigjën deklaratave si “Kam një ndjenjë të fortë drejtimi dhe qëllimi në jetë” me gjashtë opsione, nga “jam plotësisht dakord” deri tek “jam plotësisht kundër”.

Më pas përgjigjet u vlerësuan dhe u dha një mesatare që dha një rezultat nga 1 në 6, ku një vlerë më e lartë tregonte një ndjenjë më të madhe qëllimi në jetë.

Studiuesit amerikanë zbuluan se njerëzit me një ndjenjë më të madhe të një qëllimi në jetë kishin 28 për qind më pak gjasa të zhvillonin dëmtime njohëse—përfshirë demencën.

Ky efekt mbrojtës u vu re edhe kur u morën parasysh faktorë si raca, etnia, arsimi, gjenetika dhe depresioni.

“Gjetjet tona tregojnë se të kesh një qëllim në jetë e ndihmon trurin të qëndrojë i qëndrueshëm me kalimin e moshës,” tha Aliza Wingo, autore kryesore e studimit dhe profesore në UC Davis.

“Edhe për njerëzit me rrezik gjenetik për Alzheimer, ndjenja e qëllimit ishte e lidhur me një fillim më të vonë dhe gjasa më të ulëta për të zhvilluar demencë.”

U zbulua gjithashtu se ata me një qëllim më të lartë përjetuan rënie njohëse mesatarisht 1.4 muaj më vonë sesa ata pa të.

Edhe pse kjo duket modeste, studiuesit thanë se është domethënëse në krahasim me trajtimet ekzistuese për këtë sëmundje shkatërruese.

“Ndërkohë që ilaçet si lecanemab dhe donanemab mund të vonojnë disi simptomat e dëmtimit njohës tek Alzheimeri, ato kanë rreziqe dhe kosto,” tha Nicholas C. Howard, një nga autorët dhe studiues në UC Davis.

“Qëllimi në jetë është falas, i sigurt dhe i arritshëm. Është diçka që njerëzit mund ta ndërtojnë përmes marrëdhënieve, objektivave dhe aktiviteteve kuptimplota,” tha ai për News Medical Life Sciences.

Edhe pse studimi nuk pyeti pjesëmarrësit se çfarë u jepte atyre ndjenjë qëllimi, kërkime të mëparshme kanë sugjeruar disa aktivitete që mund ta ofrojnë atë.

Këto përfshijnë kalimin e kohës me familjen, vullnetarizmin, praktikat shpirtërore, hobet dhe aktet e mirësisë.

Megjithatë, studiuesit shtojnë se gjetjet e tyre nuk provojnë se një ndjenjë më e lartë qëllimi ul drejtpërdrejt normat e demencës.

Por Thomas Wingo, bashkautor dhe neurolog në UC Davis, shtoi: “Ajo që është emocionuese tek ky studim është se njerëzit mund të ‘mendojnë’ veten drejt një shëndeti më të mirë.”

“Qëllimi në jetë është diçka që mund ta ushqejmë. Nuk është kurrë herët—ose vonë—për të filluar të menduarit rreth asaj që i jep kuptim jetës suaj.”

Simptomat e demencës përfshijnë probleme me kujtesën, shpejtësinë e të menduarit, mprehtësinë mendore, gjuhën, të kuptuarit, gjykimin dhe humorin.

Por ndryshimet në shikim, dëgjim, shije, prekje dhe ekuilibër janë shenja më pak të njohura të demencës që mund të shfaqen vite përpara atyre më të zakonshme.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi një studim i ri zbuloi se problemet e zorrëve mund të ndihmojnë në zbulimin e Alzheimerit vite para se simptomat të shfaqen.

Shkencëtarët zbuluan se ata me probleme të zakonshme të tretjes, përfshirë inflamacionin e zorrëve dhe mungesat e vitaminave, kishin më shumë gjasa të përjetonin probleme me kujtesën.

Ata identifikuan 155 diagnoza të lidhura me çrregullime të zorrëve dhe metabolizmit, duke gjetur një numër problemesh të lidhura me rritjen e rrezikut për Alzheimer.

Këto përfshinin sëmundjen inflamatore të zorrëve (IBD), sëmundjen e Chron-it, kolitin ulceroz, refluksin acid, diabetin dhe sindromën e zorrës së irrituar (IBS).