Para Qendrës Klinike në Mitrovicë të Veriut, të premten u mbajt një protestë e punëtorëve shëndetësorë, pas një bastisjeje që kreu një natë më herët Policia e Kosovës mbi bazën e një sinjalizimi për armë.
Policia, më pas, njoftoi se nuk kishte gjetur asgjë të dyshimtë.
Drejtori i Qendrës Klinike, njëkohësisht kryetar i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha gjatë protestës se policia kishte hyrë në ambientet e tyre dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë të Veriut, duke “maltretuar” rojet e sigurisë me kërkesa për dokumente identifikimi dhe informacione mbi numrin e punëtorëve.
Ellek theksoi se nuk do të ketë asnjë integrim të sistemit shëndetësor e arsimor të Serbisë në sistemin e Kosovës, duke shtuar se një gjë e tillë nuk është paraparë në asnjë marrëveshje ndërkombëtare mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ai u bëri thirrje punëtorëve, të cilët mbanin parulla si “Duart larg spitalit”, “Evropë, mbro të drejtat tona” dhe “Shëndetësia dhe arsimi janë të drejta themelore të njeriut”, që të mbeten të qetë.
“Ne nuk kemi ku të shkojmë, kjo është shtëpia jonë dhe detyra jonë është të qëndrojmë pranë pacientëve tanë. Kjo është një porosi për institucionet ndërkombëtare se këto janë vijat e kuqe që ata kanë garantuar se nuk do të kalohen”, tha Ellek.
Ai kërkoi nga misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX, dhe misioni i NATO-s, KFOR, që t’i vendosin pjesëtarët e tyre para të gjitha institucioneve shëndetësore dhe arsimore.
Të gjitha institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe të Kosovës funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Përveç arsimit, ato konsiderohen nga popullsia lokale serbe dhe nga Beogradi zyrtar si shtylla të mbijetesës së komunitetit serb në Kosovë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 shtator se “sistemi dual i arsimit dhe shëndetësisë nuk është i qëndrueshëm” dhe se duhet inkorporim dhe bashkim në një sistem unik.
Ai tha se në procesin e integrimit të sistemit serb në atë kosovar do të konsultohet komuniteti serb dhe partnerët ndërkombëtarë: Bashkimi Evropian, vendet e Quint-it dhe KFOR-i.
Lista Serbe reagoi duke theksuar se “kërcënimet për njëfarë integrimi të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës, nuk janë pjesë e asnjë negociate apo marrëveshjeje”.
Në deklaratë, kjo parti e përshkroi shëndetësinë dhe arsimin si “shtylla të mbijetesës së popullit serb dhe të tilla do të mbeten”.
Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në reagimin e saj, nuk e përmendi integrimin e mundshëm të institucioneve arsimore e shëndetësore në sistemin e Kosovës, por i quajti “shpikje dhe të pavërteta” deklaratat e Kurtit për të drejtat e garantuara të serbëve në Kosovë, duke i cilësuar ato si “fyerje për çdo serb”.
Debati për integrimin e institucioneve shëndetësore e arsimore u aktualizua pasi më 4 shtator e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, deklaroi se një proces i tillë do të duhej të ndodhte një ditë, por vetëm në konsultim me komunitetin serb.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ministër në detyrë, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se integrimi i institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës është i pashmangshëm, por, sipas tij, nuk pritet që kjo çështje të hapet gjatë këtij viti./REL/
Të tjera
Mbretëria e Bashkuar mbështet Kosovën dhe sigurinë në Ballkan
Torino është zgjedhja e duhur, i lumtur që u ribashkova me Ismajlin
Nora Gjakova debuton si trajnere në Kupën Evropiane të Xhudos në Shkup