Emisari i posaçëm i presidentit amerikan, Steve Witkoff, pritet të mbërrijë gjatë këtij vikendi në Evropë, konkretisht në Gjermani, ku do të zhvillojë takime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe me liderë kryesorë evropianë, në kuadër të përpjekjeve për avancimin e planit për paqe në Ukrainë.
Ky rund i ri bisedimesh synon t’i japë hov përpjekjeve diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë. Emisari Witkoff do të diskutojë me liderët evropianë draft-propozimin më të fundit të planit amerikan për paqe.
Sipas gazetës Wall Street Journal, e cila raportoi e para për detajet e takimeve, në këtë rund pritet të marrin pjesë kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz.
Konfirmimi për udhëtimin e emisarit amerikan dhe takimin me presidentin ukrainas vjen disa ditë pasi Ukraina ia ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara versionin e rishikuar të planit 20-pikësh për paqe.
Fati i territoreve të okupuara të Ukrainës mbetet një nga çështjet më të ndërlikuara të bisedimeve. Kievi refuzon të heqë dorë nga territoret e pushtuara nga Moska, ndërsa Rusia ka ripërsëritur synimin për ta marrë të gjithë rajonin e Donbasit me forcë, nëse Ukraina nuk tërhiqet.
Ndërkohë, krahas përpjekjeve diplomatike të SHBA-së, vendet evropiane janë të përqendruara në mënyrat se si ta mbështesin Ukrainën në rast të arritjes së një marrëveshjeje për paqe, përfshirë garancitë e sigurisë dhe çështjen e financimit.
Ukraina po përballet me një situatë të vështirë financiare, ndërsa qeverisë do t’i duhet të sigurojë rreth 135.7 miliardë euro për dy vitet e ardhshme.
Të enjten, Bashkimi Evropian është pajtuar që t’i mbajë të ngrira asetet ruse që ndodhen në territorin e BE-së, në vlerë rreth 210 miliardë euro. BE shpreson që këto mjete, pas një marrëveshjeje për paqe, të përdoren për rindërtimin e Ukrainës.



Të tjera
Agjërimi i vazhdueshëm ndihmon pacientët me probleme në zemër
Lojërat Mesdhetare janë momenti më i madh sportiv në historinë e Kosovës
Ndihma humanitare e Kosovës niset drejt Gazës