Është ëndërr – Ekonomia Online

Është ëndërr

Meriton Korenica është rritur duke e parë në televizor Lionel Messin, të pëlqyerin e tij. Por shpejt mund ta ketë kundërshtar në fushë yllin e Inter Miamit.

Korenica mund t’i bashkohet skuadrës amerikane DC United shumë shpejt.

Klubi i tij rumun, Cluji, është në bisedime me klubin që garon në MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Korenica të enjten për KOHËN ka thënë se ëndrra do t’i bëhej realitet nëse një ditë do të ndante fushën me yllin argjentinas të futbollit.

Korenica 29-vjeçar shpreson të arrihet marrëveshja ndërmjet klubeve. Ai thotë se do të ishte hap i madh në karrierë.

“Ekipet janë në bisedime dhe nuk e di derisa të bien dakord. Nëse realizohet transferimi, do të ishte hap shumë i rëndësishëm për mua, por po presim, pasi ekipet janë në bisedime”, ka thënë Korenica për KOHËN të enjten.

Ai uron që bisedimet të finalizohen dhe ëndrrën për t’u paraqitur kundër Messit t’i bëhet realitet.

“Do të isha i lumtur që ta kem kundërshtar një lojtar të madh si Messi. Jam rritur me Messin dhe Ronaldon. Nëse vjen rasti të kem kundërshtar njërin prej tyre, ëndrra ime do të bëhej realitet”, është shprehur Korenica.

Mediumi rumun ka raportuar se klubi amerikan do të paguajë 4 milionë dollarë për Korenicën.

“Bisedimet ndërmjet Clujit dhe DC Unitedit janë në një fazë jashtëzakonisht të avancuar dhe ekipi i MLS-së është gati të paguajë 4 milionë dollarë klubit rumun. Cluji po ashtu do të mbajë 25 % të kartonit të mesfushorit kosovar”, shkruan “Fanatik”. “Trajneri i DC United, Rene Weiler, pëlqen mesfushorin e Clujit dhe po shtyn përpara transferimin e tij, gjë që mund të ndodhë në ditët në vijim. Nëse marrëveshja arrihet, Meriton Korenica do të ketë pagë vjetore prej 800 mijë dollarësh”.

Ai është i kënaqur me zhvillimin e tij si futbollist te Cluji.

Skuadrës rumune futbollisti i krahut iu bashkua në vitin 2024. Ai u transferua te Cluji nga Manisaspori turk.

“Nga dita e parë jam ambientuar shumë mirë te Cluji. Gjithçka ka shkuar shumë mirë si në anën ekipore ashtu edhe individuale. Ekipin e kam ndihmuar me gola e asistime dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Deri më tani gjithçka ka shkuar shumë mirë”, ka theksuar Korenica.

Këtë edicion ish-futbollisti i Ballkanit ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar shtatë herë në 29 ndeshje.

Në total për Clujin ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar 14 herë në 79 ndeshje.

“I jam falënderues ekipit të Clujit, pasi gjithmonë ka besuar tek unë dhe më ka qëndruar afër edhe kur isha në situatë shumë të vështirë me familjen time. E kam kthyer në forcë dhe kam vazhduar punën në mënyrën më të mirë të mundshme duke ndihmuar ekipin”, thotë ai.

Për transferimin e futbollistit të Kosovës te DC United ka folur edhe pronari i Clujit, Nelutu Varga. Ai ka thënë se është çështje ditësh kalimi i Korenicës te DC United.

“Ka shanse të mira që Korenica të transferohet te DC United. Është çështje ditësh”, ka thënë Varga për Fanatik.

Korenica për Kosovën ka luajtur gjashtë ndeshje. Në Dy ndeshjet e fundit nuk ishte grumbulluar. Por ai thotë se është gjithmonë gati për Kosovën.