Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është në interes të qytetarëve dhe të vetë Kosovës që ajo të rizgjidhet edhe një herë presidente e Kosovës. Ajo ka theksuar se kjo do të sigurojë vazhdimësi të punës së jashtëzakonshme dhe fuqizim të aleancave, të cilat janë të domosdoshme për suksesin e vendit.
Në Osmani tha se Kosova e meriton që këto punë të mira të vazhdojnë. Duke folur për mundësinë që të mos rizgjidhet, ajo shtoi se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin dhe për popullin e saj.
“Unë jam e bindur se të gjithë deputetët e Kosovës, pavarësisht se cilës parti i takojnë, do ta vendosin interesin e Republikës së Kosovës të parin”, tha mes tjerash Osmani në një intervistë për emisionin Nerv, me Shkëlzen Gashin.
Duke folur për raportet me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, Osmani tha se deri më sot nuk ka pasur asnjëherë çrregullime në raportet institucionale, në bashkëpunim apo në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Sipas saj, edhe në rastet kur ka pasur mospajtime ose interpretime të ndryshme të të njëjtës situatë, raportet kanë qenë gjithmonë shumë korrekte.
“Ka pasur raste kur nuk kemi pasur pajtim të plotë për shumë çështje, dhe kjo është krejtësisht normale. Në fakt, do të ishte shqetësuese sikur të pajtoheshim për çdo çështje dhe të vepronim në mënyrë identike për secilën prej tyre, sepse kjo do të tregonte se parimi i ndarjes së pushteteve nuk po funksionon”, theksoi ajo.
E pyetur për caktimin e datës së zgjedhjeve të fundit të parakohshme, Osmani potencoi se vendimi për datë 28 dhjetor nuk është marrë për shkak të interesit të Vetëvendosjes, por sepse këtë datë e kanë kërkuar edhe parti të tjera, duke shpjeguar edhe qëndrimin e opozitës dhe vlerësimin e sekretariatit të KQZ-së.
“E kanë kërkuar edhe shumë të tjerë datën 28 dhjetor. Kanë qenë 8 parti që e kanë kërkuar dhe 5 kanë qenë kundër. E dyta vetë liderët e opozitës e kanë thënë publikisht që nuk kanë asgjë kundër që zgjedhjet të mbahen edhe kur mërgata të jetë këtu dhe as në takim me mua nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim tepër të madh. Argumenti tjetër ka qenë që sekretariati i KQZ-së ka bërë vlerësim që data 21 dhjetor që ka qenë e vetmja datë tjetër, është praktikisht e pamundur…”, tha Osmani.
Ajo theksoi se si presidente i përfaqëson jo vetëm qytetarët që jetojnë në Kosovë, por çdo qytetar me të drejtë vote.
Osmani mes tjerash foli edhe për një proces të rëndësishëm diplomatik që Presidenca ka zhvilluar gjatë mandatit të saj, lidhur me pretendimet e Serbisë për çnjohjen e Kosovës nga disa shtete.
Ajo tha se institucionet e Kosovës, në veçanti Presidenca, janë angazhuar për të sqaruar këto pretendime dhe për të rikonfirmuar qëndrimin e shteteve që kishin njohur Kosovën. Sipas saj, rreth 20 raste të tilla janë rikthyer dhe janë konfirmuar si njohje valide.
Osmani theksoi se edhe pse çnjohja nuk njihet në të Drejtën Ndërkombëtare, deklaratat e shteteve për tërheqje të njohjes i shkaktojnë dëm të madh Kosovës, duke ndikuar në imazhin e saj, në procesin e njohjeve të reja dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani bëri të ditur se gjatë pesë viteve të mandatit të saj janë trajtuar të gjitha pretendimet për çnjohje dhe se ato janë rikonfirmuar përmes kontakteve diplomatike dhe marrëveshjeve me shtete të ndryshme, ndërsa vetëm për një shtet ende nuk ka përgjigje zyrtare.



Të tjera
Mbani në kontroll diabetin më këto ushqime
Këta janë shkaktarët më të shpeshtë të fryrjes së këmbëve
Programi festiv në Serbi shndërrohet në shovinizëm ndaj shqiptarëve