Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, i cili kohëve të fundit ka thënë se ajo e kishte “luftuar” në periudhën kur u arrit Marrëveshja e Washingtonit.
Në një deklarim për media, Osmani e quajti Hotin “njeriun më jorelevant”, duke thënë se nuk dëshiron të humbë kohë me të, ndërsa shtoi se akuzat për moszbatim të marrëveshjeve ndaj Kosovës vijnë vetëm nga Serbia.
“Hoti është njeriu më jorelevant, në të cilin nuk dua të humbë asnjë sekondë. Nëse doni ta bëni si pyetje tuajën se a është zbatuar marrëveshja apo jo, vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve”, tha Osmani.
Ajo theksoi se Kosova ka zbatuar të gjitha obligimet që dolën nga Marrëveshja e Washingtonit, përfshirë hapjen e ambasadës në Jerusalem dhe ndalimin e bashkëpunimeve me shtete apo entitete që bien ndesh me interesat strategjike të SHBA-ve.
“Kosova e ka hapur ambasadën në Jerusalem, Kosova nuk lejon të bëjë marrëveshje ekonomike as për 5G, as me Kinën, as me armiq tjerë të Amerikës. Këtë e kanë kërkuar, ne e kemi zbatuar – Serbia jo. Serbia ka qenë e detyruar deri në korrik 2021 ta hapë ambasadën në Jerusalem, a e ka bërë këtë punë? Jo. Serbia ka qenë e detyruar t’i mbyllë bizneset kineze, kurrë s’i ka mbyllë”, deklaroi presidentja.
Osmani kujtoi se ajo nuk ka qenë në krye të shtetit kur është arritur marrëveshja, por theksoi se tani si presidente, është duke punuar ngushtë me administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump.
“Unë nuk kam qenë as presidente, as kryeministre në atë periudhë që të negocioja atë marrëveshje. Unë jam presidente sot dhe punoj shumë afër me administratën e presidentit Trump në mënyrë që të arrijmë një bashkëpunim të thelluar e strategjik, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë”, tha Osmani.
Ajo përfundoi duke thënë se duhet pasur kujdes që mos të përsëriten akuzat e Serbisë brenda Kosovës: “Njerëzit duhet të kujdesen shumë të mos shndërrohen në altoparlanta të Serbisë këtu me akuza të tilla”.
Të tjera
Ndalja e Dialgout Strategjik, Rashiq: Mesazhi më i qartë nga SHBA deri tani, Prattipati më paralamëroi 2 ditë më herët
Lista Serbe nis fushatën me himn të Serbisë dhe premtimin për “çlirim nga Kurti”
SHBA pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, Nurellari: Shuplakë për Albin Kurtin