Hyrja e dronëve të Rusisë në hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator nuk shkaktoi shumë dëme materiale në tokë, por e zbuloi një vrimë të madhe në forcat e mbrojtjes së Evropës: aleatët nuk kanë kundërmasa me kosto efektive për t’u përballur me sulmet e përballueshme të Rusisë.
Hiç më pak se 19 dronë fluturuan në hapësirën ajrore të Polonisë – pra edhe në atë të NATO-s. Besohet se katër prej tyre u rrëzuan.
Shpjegimi i disa zyrtarëve evropianë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë (REL) në kushte anonimiteti, është se prioritet ishte rrëzimi i atyre dronëve që dukeshin se po lëviznin drejt infrastrukturës së rëndësishme.
Duke pasur parasysh dëmtimet e kufizuara në pronë dhe asnjë viktimë të shkaktuar në tokë, një strategji e tillë dukej e arsyeshme. Por, shumë njerëz pyesin pse ishte e nevojshme të mbështeteshin mjete të shtrenjta si AWACS dhe avionë luftarakë si F-35, dhe jo një sistem shumë më i lirë antidronë, si Sky CTRL, që e përdor Polonia.
Kreu i NATO-s, Mark Rutte, tha se përgjigja e aleancës ishte “shumë e suksesshme” dhe “tregoi se jemi në gjendje ta mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s, përfshirë, natyrisht, hapësirën e saj ajrore”.
Megjithatë, incidenti ngre pyetje të pakëndshme, veçanërisht nëse Kremlini do të vazhdojë t’i testojë vendet e NATO-s në mënyrë të ngjashme në të ardhmen. Ai gjithashtu vë në sipërfaqe të meta në mënyrën se si aleanca është përgatitur, ose nuk është e përgatitur, për një epokë të re lufte ku dronët përdoren bujshëm.
Përgjigja e NATO-s ndaj inkursionit të dronëve duket e papërballueshme financiarisht dhe e pafrytshme ushtarakisht.
Siç edhe tha një zyrtar evropian, duke folur në kushte anonimiteti për REL: “Raketat ajër-ajër janë jashtëzakonisht të kushtueshme për t’u përdorur kundër dronëve të lirë rusë dhe, nëse dërgohen 800 përnjëherë, siç ndodh në Ukrainë, Evropa do ta shterojë të gjithë arsenalin e saj brenda vetëm disa javësh”.
Komandanti i NATO-s ka gjasa t’i gjejë disa nga ato të meta të dukshme. Vetëm këtë vit ka pasur incidente me të ashtuquajturat UAV (mjete ajrore pa pilot) ruse në Bullgari, Letoni, Lituani dhe Rumani.
Në gusht, një dron kaloi pa u vërejtur para se të shpërthente në tokën polake, sipas ushtrisë së vendit.
Fjalimi vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë javë e bëri të qartë se blloku duhet ta forcojë mbrojtjen e vet ndaj dronëve kur ajo u zotua për një hua prej 6 miliardë eurosh për t’u futur në një “aleancë dronësh” me Ukrainën.
Ajo gjithashtu përmendi një “Vëzhgim të Krahut Lindor” që tha se do të sigurojë “vëzhgim hapësinor në kohë reale” për të gjurmuar të gjithë lëvizjen ajrore nga Deti Baltik deri te Deti i Zi.
Von der Leyen gjithashtu u zotua për ndërtimin e një “muri dronësh”, diçka që vetë komisioni i saj fillimisht e kishte refuzuar për të financuar kur Estonia, Letonia dhe Lituania kërkuan para evropiane më herët këtë vit për një nismë të tillë.
Por, fakti mbetet që muri i dronëve, vëzhgimi i krahut dhe prodhimi aktual i dronëve janë pjesë e të njëjtës pasqyrë, e cila po hartohet me ose pa financim të BE-së.
Mbrojtja ajrore nga Deti Baltik në Detin e Zi
Së pari, ka dy projekte të vazhdueshme dhe të ngjashme: “Linja e Mbrojtjes së Baltikut” e treshes baltike dhe “Përforcimi i Lindjes” i Polonisë.
Të dyja projektet, të shpallura vitin e kaluar, do të marrin kohë deri në një dekadë për t’u përfunduar dhe janë të dizajnuara për të “forcuar” kufijtë me Bjellorusinë dhe Rusinë, përfshirë enklavën e Kaliningradit.
Miliarda euro janë ndarë tashmë.
Shumë investime do të shkojnë në mbrojtje klasike fizike, si qindra bunkerë, tela me gjemba, llogore dhe moçale. Por, këto linja të mbrojtjes e kanë edhe aspektin teknologjik.
Ideja është mbledhja e të dhënave përmes imazheve dhe sinjale dhe vëzhgimi akustik do të përdoren për mbikëqyrje. Stacionet bazë të shpërndara përgjatë linjës së mbrojtjes, si dhe shtyllat, do të përpunojnë të dhënat dhe do të lidhen me sistemet e armëve, veçanërisht dronët e dizajnuar për t’i rrëzuar dronët e armikut.
Ky është muri i dronëve, të paktën në teori. Ajo që filloi si një ide e industrisë së mbrojtjes estoneze vitin e kaluar për të mbuluar tri vendet baltike, e quajtur Muri i Dronëve të Baltikut, është transformuar në një ide të NATO-s, Muri i Dronëve, pasi firmat gjermane janë të gatshme të investojnë dhe Norvegjia, Finlanda dhe Polonia janë të interesuara të bashkohen gjithashtu.
Nëse BE-ja si institucion i bashkohet financimit, është shumë e mundshme që muri të shtrihet edhe më në jug, megjithëse Ukraina, që mund të konsiderohet udhëheqëse në teknologjinë e dronëve, në thelb po i mbulon vende si Hungaria, Sllovakia, Bullgaria dhe Rumania me arsenalet e saj të dronëve.
Çelësi tani është se si do të duket ky mur dhe kur mund të vendoset.
Me të gjitha këto aspekte të përfshira, vlerësohet se mund të duhen dy deri në tri vjet për t’u vendosur, pasi duhet të vendosen dhjetëra mijëra sensorë përgjatë kufijve. Në varësi të kufijve gjeografikë, sfida kryesore do të vijë kryesisht nga ndarja dhe integrimi i të gjitha të dhënave nga të gjitha sistemet.
Mbase NATO-ja duhet të jetë përgjegjëse. Por, çështja më e madhe është si dhe nëse do të funksionojë kjo në praktikë.
Derisa shumica e teknologjive pak a shumë të gatshme dhe elementë si sensorët mund të shkallëzohen lehtësisht, problemi janë dronët. Dhe, pikërisht këtu mund të hyjë në lojë Ukraina dhe mbase edhe “aleanca e dronëve”.
Ukraina aktualisht prodhon rreth 4 milionë dronë në vit dhe shpreson të dyfishojë atë kapacitet. Shumica e këtyre dronëve sigurisht që do t’i nevojiten vetë asaj për ta luftuar ushtrinë ruse.
Ajo që evropianët duan nga Kievi është ekspertiza.
Një zyrtar evropian i tha REL-it se ideja më tepër është të përdoren modelet dhe idetë inxhinierike që po provohen në fushën e betejës në Ukrainë dhe më pas të shkallëzohen brenda bllokut, potencialisht me ndihmën e gjigantëve automobilistikë evropianë që mund të lirojnë kapacitetin. / REL
Të tjera
Serbi i arrestuar dje për krime lufte dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri
BE-ja ‘harron’ agresioni e Serbisë mbi Kosovën, ‘kukat’ mbylljen e zyrave paralele serbe
Kina dhe Rusia me aleatë po ndryshojnë rendin botëror