Ministri Peci paralajmëron kallëzime penale për disa figura të LDK-së, nuk përjashton as Abdixhikun

Fabrika e mbetjeve shtazore funksionon në përputhje me ligjin

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas raporteve në disa media lidhur me fabrikën për trajtimin e mbetjeve shtazore, duke sqaruar se Qeveria e Kosovës ka dhënë për shfrytëzim këtë fabrikë një konsorciumi italiano-kosovar dhe ka demantuar disa akuza të shpërndara këto ditë, përcjell KosovaPost.

Peci ka theksuar se fabrika është dhënë për shfrytëzim në përputhje me ligjin dhe ka bërë të qartë se ka pasur shpifje të ndryshme në lidhje me procesin. “Shpifja e parë që u demantua ishte aludimi se gjoja, nuk ka bazë ligjore. E vërtetuam se baza ligjore ekziston,” tha Peci, duke e quajtur këtë akuzë të pabazuar.

Ai gjithashtu ka adresuar një tjetër shpifje që ishte përhapur, duke sqaruar se kompania është një konsorcium dhe jo një entitet i vetëm. “Shpifja e dytë ishte se kompania nuk ishte konzorcium. U vërtetua se është konzorcium!” tha ai, duke theksuar se procesi ka kaluar pa asnjë shkelje ligjore.

Ministri ka komentuar edhe kritikat që kishin lidhur procedurat e shpalljes dhe kriteret e shpalljes së ofertave. Ai ka theksuar se disa akuzuan që këto kritere ishin kalkuluar qëllimisht për të paraqitur kosto dhe barrë për Qeverinë. Peci ka demantuar këtë, duke thënë se nuk ka pasur asnjë shkelje në lidhje me kriteret dhe dokumentacionin përkatës.

Peci gjithashtu ka kundërshtuar kritikat mbi shtetësinë e aksionarëve të konsorciumit. “Qeveria e Kosovës ka dhënë për shfrytëzim fabrikën në fjalë, një konzorciumi italiano-kosovar. Nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë/Agjencisë që të jetë në rrjedha e të pretendojë të kontrollojë se kush kujt i shet apo i blen aksione në marrëdhënie kontraktuale,” ka theksuar Peci.

Ministri gjithashtu ka theksuar se nuk ka asnjë bazë ligjore për të kërkuar informacion mbi shtetësinë e aksionarëve të konsorciumit që është regjistruar. “Procesi i regjistrimit në ARBK kërkon përfaqësues të kompanisë/konzorciumit, por nuk ka bazë ligjore që të kërkohet të dihet edhe nacionaliteti i aksionarëve,” ka theksuar ai.

Peci ka nënvizuar se në asnjë shpallje publike nuk ka pasur kërkesa për të diskriminuar individë mbi bazën e përkatësisë etnike ose shtetësisë, duke e cilësuar çdo tentativë për të bërë këtë si shkelje të ligjit dhe vepër penale. Ai ka ilustruar këtë me një pyetje retorike: “Nëse në vend të Muhamer Ragipoviq aksionari do ta kishte emrin Muhamed Ragipi, shqiptar i Luginës por shtetas i Serbisë, a do të kishte raportim të njëjtë titulli, insinuatë dhe jehonë? Jo. Atëherë pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak/musliman nga Novi Pazari?”