Reagim i fortë nga Kryetarja e VV në Ferizaj ndaj Sibele Halimit: Faktet për gratë flasin vetë

Faktet për gratë flasin vetë

Fatbardha Zogaj Reka, Kryetare e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, i përgjigjet Sibele Halimit me një reagim të ashpër ndaj deklarimit të saj të ulët e pasens se Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka demotivuar gratë. Reagimi i Fatbardhës dëshmon se grave në Lëvizje nuk u shfrytëzohen aftësitë e arritjet, por ato të rreshtuara në këtë organizatë janë të gatshme të japin gjithë potencialin e tyre në të mirën e kombit dhe shtetit, përcjell KosovaPost.

Reagimi i plotë:

Sibele,

Ky reagim vjen nga kryetarja (grua) e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj – qyteti ku je rritur dhe shkolluar, e ku e di shumë mirë rolin që ka pasur dhe ka Lëvizja për fuqizimin e grave.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e vetmja organizatë politike që nuk ka ushtruar kurrë diskriminim gjinor, por ka ndërtuar politika konkrete për mbështetjen dhe avancimin e grave dhe vajzave. Këtë nuk e thonë vetëm strukturat tona, por e dëshmojnë më së miri vetë votuesit.

Rritja e votës për gratë dhe vajzat e Listës fituese – numri 118 ❤️ – në zgjedhjet e 9 shkurtit është tregues i qartë i nivelit dhe kulturës politike të elektoratit tonë. Votuesi i VETËVENDOSJES! vlerëson punën, jo paragjykimet.

Asnjë qeveri para Kurti 1 dhe Kurti 2 nuk ka pasur përfaqësim më të madh dhe më të fuqishëm të grave. Këto janë rezultate të prekshme, të matshme dhe të pamohueshme.

Ngritja, përfaqësimi, emancipimi, mbështetja financiare, bursat për studime dhe politikat e punësimit për gratë e vajzat – të realizuara nga Lëvizja në nivel lokal dhe qendror – përbëjnë standard që shumë të tjerë e shikojnë me zili, por nuk kanë arritur dhe nuk arrijnë dot ta kapin.

Ky është realiteti. Faktet flasin vetë.