I dyshuari për spiunazh, Fatmir Sheholli, ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe aktualisht po trajtohet aty.
Siç mëson KALLXO.com, Sheholli, një ditë pasi i ishte caktuar masa e paraburgimit, kishte kërkuar ndihmë mjekësore dhe më 11 tetor 2025 është dërguar në spital.
Fatmir Sheholli momentalisht është i hospitalizuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Afrim Cana.
“Pacienti është pranuar dje (11.10.2025), ka ardhur me disa ndryshime në shëndet. Pas kontrolleve që i ka bërë në Emergjencën në Gjilan, ai është i hospitalizuar në Spitalin e Gjilanit, ku edhe është duke u trajtuar,” ka thënë Cana.
KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por ende nuk ka kthyer përgjigje.
Më 10 tetor 2025, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Fatmir Sheholli, i dyshuar për spiunazh.
Përmes një njoftimi të datës 10.10.2025, Gjykata ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Shehollit.
“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund t’i shmanget procedurës penale dhe do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë, përkatësisht për vepër penale spiunazhi,” thuhej në njoftimin e Gjykatës.
Fatmir Sheholli është arrestuar më 9 tetor 2025 nën dyshimet për spiunazh.



Të tjera
U interesua për Mastantuonon, Reali e refuzon Napolin
Kërpudhat mund të forcojnë sistemin tuaj imunitar
Aparatet që harxhojnë energji edhe kur nuk përdoren