Ferronikeli pas dy dekadash privatizim: 80 punëtorë, zero prodhim

Nga rreth 700 punëtorë aktivë, kompania për prodhimin dhe përpunimin e nikelit dhe produkteve të tij, Ferronikeli, sot numëron vetëm 80 të punësuar në administratë, ndërsa makineritë e prodhimit janë plotësisht të ndalura tash e sa kohë.

Dikur një nga shtyllat kryesore të industrisë metalurgjike dhe ekonomisë së Kosovës, kompania që eksportoi produkte në vlerë mbi 80 milionë euro vetëm në vitin 2020, sot përballet me një realitet të zymtë: prodhim zero, kontrata të ndërprera dhe pritje për kushte më të favorshme tregu.

Që nga privatizimi i saj, kanë kaluar dy dekada, por rimëkëmbja vazhdon të mbetet sfidë.

Nga simbol ekonomik në kompleks pothuajse të boshatisur
Ferronikeli, i vendosur në qytetin e Drenasit – rreth 34 kilometra nga Prishtina – ishte për vite me radhë simbol i fuqisë industriale të Kosovës.

Zyrtarë të kompanisë shprehen optimistë se makineritë do të ndizen sërish, por kur kushtet e tregut, sipas tyre, të jenë më të favorshme.

Ata thonë se kompania mbetet e përkushtuar për rikthimin e prodhimit dhe se, edhe gjatë periudhës së ndaljes, janë realizuar investime prej miliona eurosh në teknologjinë e prodhimit dhe mbrojtjen e mjedisit, për të qenë të gatshëm në momentin e rihapjes.

Pse u ndal prodhimi?

Sipas Shpend Gudaqit, udhëheqës i zyrës për ndërlidhje me komunitetin dhe marrëdhënie me publikun në kompaninë NewCo Ferronikeli Complex, faktorët kryesorë që çuan në ndaljen e prodhimit lidhen me tregjet ndërkombëtare.

Për pasojë, kompania ka qenë e detyruar të ndërmarrë masa drastike për uljen e kostove.

“Një nga vendimet më të rëndësishme ishte fikja e furrës elektrike në mars të vitit 2025, për të zbutur koston e lartë të energjisë elektrike”, shpjegon Gudaqi.

Ferronikeli shpenzon deri në 420 mijë megavate-orë energji elektrike në vit.

Me çmimet aktuale në bursën hungareze HUPEX – mbi 140 euro për megavat-orë – kostoja vjetore e energjisë, në rast prodhimi, do të arrinte mbi 58 milionë euro, shumë kjo që rrit presionin mbi qëndrueshmërinë e fabrikës.

Shkëputja e kontratave dhe një sinjal shprese

Në fund të vitit 2025, kompania u përball me një vendim edhe më të vështirë: shkëputjen kolektive të kontratave të punës për mbi 600 punëtorë, edhe pse ata ishin paguar për gati dy vjet pa prodhim aktiv.

Disa media kanë raportuar më parë se, kur kushtet e tregut të mundësojnë rifillimin e prodhimit në Ferronikel, punonjësit e prekur do të kenë prioritet për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës.

E, zhvillimet e fundit në tregjet botërore kanë sjellë një sinjal të kujdesshëm shprese.

Nga mesi i dhjetorit 2025 deri në janar 2026, çmimi i nikelit është rritur nga rreth 14.200 dollarë në 18.900 dollarë për ton – një rritje që mund të ndikojë në rishikimin e planeve të prodhimit.

Kapaciteti i prodhimit ndër vite arriti deri në 6.000 tonë nikel në vit, duke e bërë Ferronikelin një nga eksportuesit më të mëdhenj të vendit.

Vetëm gjatë vitit 2020, kompania realizoi eksporte në vlerë mbi 80 milionë euro.

Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka monitoruar punën e ndërmarrjes deri në korrik të vitit 2009 dhe, si rezultat i përmbushjes së zotimeve kontraktuale, ka vendosur ta lirojë atë nga monitorimi dhe raportimi i mëtejmë, thuhet në një përgjigje të kësaj agjencie për Radion Evropa e Lirë.

Kritika ndaj privatizimit dhe pasojat ekonomike

Profesori Izet Ibrahimi, nga Fakulteti i Gjeoshkencave në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë të Jugut, thotë se institucionet shtetërore duhet të tregojnë angazhim më serioz dhe të rishikojnë procesin e privatizimit.

“Procesi duhet të rikthehet në pikën para privatizimit dhe ndërmarrja të riprivatizohet mbi baza të qarta dhe transparente”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Ibrahimit, Ferronikeli ka kontribuar deri në 10 për qind të Bruto Produktit Vendor, ndërsa ndalja e prodhimit ka thelluar deficitin tregtar dhe ka ndikuar negativisht në gjithë zinxhirin industrial të vendit.

“… sepse ndërprerja e prodhimit në kompleks nuk ndikon vetëm në pagat e punëtorëve, por ka pasoja të drejtpërdrejta edhe në buxhetin e shtetit dhe në ekonominë e përgjithshme të vendit“, thotë Ibrahimi.

Nga kompania NewCo Ferronikeli Complex thonë se kanë bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet qendrore dhe lokale dhe se, brenda kornizave ligjore, kanë hasur në mirëkuptim.

“Insistimi ynë është që kompania, edhe pse private, të trajtohet si pasuri kombëtare dhe aset strategjik, pasi është eksportuesja më e madhe dhe një nga punëdhënëset kryesore në Kosovë”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Gudaqi shton se janë të hapur për bashkëpunim me institucionet, me synimin për të gjetur zgjidhje që do të mundësonin rikthimin e prodhimit dhe të punëtorëve në vendet e punës.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ekonomisë nëse ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare nga Ferronikeli për gjetjen e një zgjidhjeje dhe nëse ekzistojnë mundësi ligjore për ndërmarrjen e ndonjë mase.

Nga Ministria e Ekonomisë thanë se Qeveria nuk ndërhyn në menaxhimin e kompanive private dhe se nuk janë në dijeni që kompania në fjalë ka adresuar ndonjë çështje drejtpërdrejt pranë këtij institucioni.

Efektet zinxhirore në ekonomi

Ndalimi i prodhimit nuk ka prekur vetëm punëtorët e Ferronikelit.

Kompania shtetërore, Trainkos, e cila ofron shërbime të transportit hekurudhor në Kosovë, në Planin e Biznesit për vitin 2025 kishte paraparë transport për eksportin dhe importin e xeheroreve dhe të produktit final të Ferronikelit në vlerë prej rreth një milion eurosh – ose 430 mijë tonë xehe.

Përveç kësaj, edhe disa kompani private kishin kontrata aktive për kryerjen e punëve në terren, të cilat janë ndikuar drejtpërdrejt nga ndalja e prodhimit.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ekonomisë nëse ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare nga Ferronikeli për gjetjen e një zgjidhjeje dhe nëse ekzistojnë mundësi ligjore për ndërmarrjen e ndonjë mase.

Nga Ministria e Ekonomisë thanë se Qeveria nuk ndërhyn në menaxhimin e kompanive private dhe se nuk janë në dijeni që kompania në fjalë ka adresuar ndonjë çështje drejtpërdrejt pranë këtij institucioni.

Efektet zinxhirore në ekonomi
Ndalimi i prodhimit nuk ka prekur vetëm punëtorët e Ferronikelit.

Kompania shtetërore, Trainkos, e cila ofron shërbime të transportit hekurudhor në Kosovë, në Planin e Biznesit për vitin 2025 kishte paraparë transport për eksportin dhe importin e xeheroreve dhe të produktit final të Ferronikelit në vlerë prej rreth një milion eurosh – ose 430 mijë tonë xehe.

Përveç kësaj, edhe disa kompani private kishin kontrata aktive për kryerjen e punëve në terren, të cilat janë ndikuar drejtpërdrejt nga ndalja e prodhimit.

Në Kosovë, procesi i privatizimit ka nisur në vitin 2003 nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe ka vazhduar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit pas vitit 2008.

Deri tani janë privatizuar mbi 2.300 asete në vlerë prej qindra miliona eurosh.

Megjithatë, procesi është kritikuar për disa arsye, të lidhura me efikasitetin, transparencën dhe pasojat ekonomike. /REL