Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Unioni i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) kanë konfirmuar zyrtarisht se Federata e Futbollit e Kosovës ka amendamentuar statutin e saj në përputhje të plotë për harmonizim me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s dhe Ligjin nr. 08/L-277 për Sportin, rekomandimet dhe kërkesat e nxjerra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti.
Në një shkresë të përbashkët drejtuar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, FIFA dhe UEFA theksojnë se këto ndryshime janë rezultat i një procesi konsultimi gjithëpërfshirës ndërmjet FIFA-s, UEFA-s, FFK-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke rikujtuar se përfaqësues të dy institucioneve kanë qenë të pranishëm në të gjitha Kuvendet e FFK-së ku janë miratuar ndryshimet statutore.
Në të njëjtën kohë, FIFA dhe UEFA nënvizojnë rëndësinë e respektimit të parimeve të pavarësisë institucionale dhe zhvillimit të procesit zgjedhor të FFK-së pa asnjë ndërhyrje të padrejtë nga palë të treta, duke sqaruar se çdo vendim që lidhet me qeverisjen dhe anëtarësinë e FFK-së bie ekskluzivisht në kompetencën e organeve të saj statutare.
Po ashtu, FIFA dhe UEFA konfirmojnë se përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së më 5 shkurt 2026, për të vëzhguar zhvillimin e procesit në përputhje me Statutin e FFK-së.
Më poshtë gjeni shkresën e plotë të FIFA-s dhe UEFA-s drejtuar FFK-së:
Në vëmendje të: z. Agim Ademi, President
28 janar 2026
I nderuar z. Ademi,
I referohemi letrës suaj të datës 19 janar 2026, lidhur me emailin e pranuar më 12 janar 2026 nga Komisioni për Licencimin e Federatave Sportive të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në lidhje me thirrjen e Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili është planifikuar të mbahet më 5 shkurt 2026.
Në këtë kontekst, rikujtojmë se ndryshimet në Statutin e FFK-së fillimisht janë miratuar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur në Prishtinë më 27 janar 2023, duke prezantuar një sërë reformash thelbësore që synonin forcimin e ndjeshëm të qeverisjes dhe të kornizës statutare dhe rregullative të FFK-së.
Më tej, FFK ka mbajtur Kuvendin e Rregullt më 20 shkurt 2024, gjatë të cilit ka miratuar Kodin Zgjedhor të FFK-së dhe ka zgjedhur anëtarët e Komisionit Zgjedhor. Në Kuvendin e Rregullt pasues të datës 5 shkurt 2025, si dhe në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të mbajtur më 11 gusht 2025, janë miratuar ndryshime shtesë statutare me qëllim të harmonizimit të Statutit të FFK-së me parimet dhe rekomandimet e FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe me Ligjin nr. 08/L-277 për Sportin dhe rekomandimet dhe kërkesat e nxjerra nga MKRS.
Përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA-s kanë marrë pjesë në të gjitha këto Kuvende për të siguruar që proceset përkatëse janë zhvilluar në përputhje me standardet e qeverisjes së të dyja institucioneve.
Të gjitha reformat e lartpërmendura, të cilat parashihnin ndryshime gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet e strukturës qeverisëse të federatës, kanë qenë rezultat i një procesi konsultimi gjithëpërfshirës dhe të koordinuar, ku kanë marrë pjesë FIFA, UEFA, FFK dhe MKRS. Për më tepër, rezulton se çdo version i rishikuar i Statutit të FFK-së është komunikuar rregullisht te të gjitha palët relevante, përfshirë MKRS-në, deri dhe te ndryshimet e fundit të miratuara nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm më 11 gusht 2025.
Prandaj, vlerësojmë se, duke qenë se këto ndryshime të fundit janë ndërmarrë pikërisht për të siguruar përputhshmëri me legjislacionin vendor për sportin dhe duke pasur parasysh mungesën e dukshme të komenteve apo kundërshtimeve nga MKRS për më shumë se pesë muaj, nuk ka pasur më asnjë tregues për pengesa të mundshme në përputhje me legjislacionin përkatës vendor për sportin.
Në këtë drejtim, e konsiderojmë tejet shqetësuese që, pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm të 11 gushtit 2025, MKRS vetëm më 12 janar 2026 –pra vetëm disa javë para zgjedhjeve të FFK-së të planifikuara për më 5 shkurt 2026 –ka kërkuar ndryshime thelbësore në Statutin e FFK-së, veçanërisht lidhur me dispozita që janë futur në Statutin e FFK-së që nga viti 2023 dhe që, sipas njohurive tona, nuk janë vënë në dyshim në asnjë fazë të procesit të konsultimit deri më tani.
Në këtë kontekst, dëshirojmë t’ju tërheqim vëmendjen te neni 14 paragrafi 1 (i) dhe neni 19 i Statutit të FIFA-s, si dhe neni 7bis paragrafi 2 i Statutit të UEFA-s, të cilat kërkojnë që Federatat anëtare t’i menaxhojnë punët e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndikim të padrejtë nga asnjë palë e tretë. Në bazë të këtyre dispozitave, Federatat anëtare duhet të sigurojnë, përmes statuteve të tyre, një procedurë demokratike që garanton se organet ekzekutive zgjidhen lirshëm dhe në mënyrë demokratike dhe se të gjitha organet e tjera zgjidhen ose emërohen në mënyrë plotësisht të pavarur. Çdo shkelje e këtyre detyrimeve mund të çojë në sanksione, përfshirë edhe rastet kur një ndikim i tillë nga palët e treta nuk i atribuohet drejtpërdrejt fajit të Federatës anëtare.
Në përputhje me këtë, pritshmëria jonë e qartë është që procesi zgjedhor i FFK-së të zhvillohet me transparencë dhe pavarësi të plotë, dhe pa asnjë ndërhyrje të padrejtë nga palë të treta, në përputhje me parimet e qeverisjes që zbatohen për të gjitha Federatat anëtare të FIFA-s dhe UEFA-s.
Po ashtu, në përputhje me këto parime, dëshirojmë të theksojmë se, siç përcaktohet në Statutin e FFK-së, çdo vendim që lidhet me përbërjen e anëtarësisë së FFK-së bie në kompetencën ekskluzive të Kuvendit të FFK-së, si organi suprem dhe legjislativ i FFK-së, i cili po ashtu duhet të mbetet i lirë nga çdo formë ndikimi apo vendimmarrjeje nga palë të treta.
Më tej, dëshirojmë të theksojmë arritjen historike sportive të kualifikimit të kombëtares së Kosovës në Play-off-in e Kualifikimeve Evropiane për Kampionatin Botëror FIFA 2026, si dhe të nënvizojmë rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit institucional në këtë moment kritik, në mënyrë që të mos rrezikohet zhvillimi dhe suksesi i mëtejmë i futbollit në Kosovë.
Gjithashtu, ju njoftojmë se përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA-s do të marrin pjesë dhe do të vëzhgojnë Kuvendin Zgjedhor të FFK-së më 5 shkurt 2026, për të siguruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me Statutin e FFK-së, si dhe me statutet, rregulloret dhe parimet përkatëse të FIFA-s dhe UEFA-s.
Së fundi, duke qenë se statutet e një Federate anëtare konsiderohen si një “dokument i gjallë” që kërkon ndryshime herë pas here për të ruajtur standarde të larta të qeverisjes së mirë, pas Kuvendit Zgjedhor, FIFA dhe UEFA do t’ju kontaktojnë për të vlerësuar çdo ndryshim të mundshëm të mëtejmë në Statutin e FFK-së që mund të miratohet në kohën e duhur.
Ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj dhe mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo sqarim të mëtejshëm që mund t’ju nevojitet.
Me respekt,
FIFA
Elkhan Mammadov
Shef për Federatat Anëtare
UEFA
Thierry Favre
Drejtor për Zhvillim të Federatave Kombëtare



Të tjera
Kolshi: Presidentja Osmani duhej ta dërgonte konstituimin e Kuvendit në Kushtetuese
Vlerat ushqyese të lakrës së Brukselit
Zhduket një avion me 15 persona në bord në Kolumbinë veriore, pak para mbërritjes në destinacion