Shefqet Gjocaj u lind më 11 qershor 1962 në Istog. Studimet i kreu fillimisht në Fakultetin Teknik, drejtimi Arkitekturë, ndërsa më pas përfundoi studimet Bachelor dhe Master në Dramaturgji në Fakultetin e Arteve, duke ndërthurur përvojën teknike me formimin artistik.
Karriera e tij nis si mësimdhënës (1986–1997), ku kontribuoi në edukimin e gjeneratave të reja në Istog dhe Mitrovicë. Gjatë viteve të luftës punoi si korrespondent i “Koha Ditore” dhe TVSH-së, duke raportuar nga terreni për zhvillimet politike, shoqërore dhe kulturore. Nga viti 1999 deri në 2005 ka shërbyer në UN-HABITAT, UNDP/UNOPS, BE dhe Kryqin e Kuq Austriak, duke udhëhequr projekte të rindërtimit pas luftës, zhvillimit urban dhe trajnimeve profesionale. Më vonë, si ekspert i Bashkimit Evropian (2006–2013), ka kontribuar në fushën e marrëdhënieve me publikun.
Në artin skenik është një figurë e rëndësishme e dramaturgjisë kosovare: aktor, regjisor dhe dramaturg, themelues trupash teatrore dhe autor i disa dramave origjinale. Ka regjisuar mbi 10 shfaqje dhe ka interpretuar mbi 20 role. Si skenarist i filmit “Kthimi”, në regji të Blerta Zeqirit, është fitues i çmimeve ndërkombëtare, përfshirë Sundance dhe Sarajevo Film Festival. Gjatë drejtimit të Ansamblit “Shota” (2014–2022), ai udhëhoqi ringritjen institucionale dhe prezantimin e kulturës shqiptare në skenat botërore.
Si deputet nga lista e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, synon të kontribuojë në forcimin e politikave kulturore, zhvillimin e komunitetit artistik dhe avancimin e vlerave publike e demokratike në Republikën e Kosovës.



Të tjera
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucioni më sipëror, ku nuk ka mendim që nuk mund të thuhet dhe nuk ka debat që nuk mund të zhvillohet
Dekorohen me urdhrin e lartë të Skënderbeut Artan Lame dhe Filip Rrumbullaku
Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e legjendës së boksit, Nazif Gashi