Fillojnë negociatat ShBA-Iran

Fillojnë negociatat ShBA-Iran

Negociatat mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, të cilat synojnë përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, kanë nisur në Islamabad të Pakistanit.

Lajmi është konfirmuar nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, i cili ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e të dy delegacioneve pjesëmarrëse në këto bisedime, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa Skynews, ka raportuar se ka filluar takimi mes dy përfaqësuesve të dy shteteve.

“Në fillim të negociatave në Islamabad, kryeministri u takua me J.D. Vance”, zëvendëspresidentin amerikan që udhëheq delegacionin e vendit të tij, thuhet në njoftimin zyrtar të zyrës së Sharifit.

Para nisjes së bisedimeve, të cilat zhvillohen në një atmosferë mosbesimi të thellë dhe për të cilat ende nuk është përcaktuar qartë rendi i ditës apo formati (i drejtpërdrejtë apo i tërthortë), Sharif u takua gjithashtu edhe me delegacionin iranian.

 

Duke përshëndetur përkushtimin e të dy palëve për dialog konstruktiv, ai shprehu shpresën se këto negociata do të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon.

Konflikti, i nisur më 28 shkurt me ofensivën izraelito-amerikane kundër Iranit, deri më tani ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Liban, ndërkohë që ka ndikuar ndjeshëm edhe në ekonominë globale.

Pakistani ka angazhuar një ekip ekspertësh që do të kontribuojnë në diskutime mbi trafikun detar, çështjet bërthamore dhe tema të tjera kyçe. Takimi po ndiqet nga afër edhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë që kanë kontribuar në përpjekjet diplomatike, përfshirë Egjiptin, Turqinë dhe Kinën, me të cilat Pakistani vijon koordinimin.