Në fshatin Carralevë të Shtime kanë nisur punimet për renovimin dhe adaptimin e objektit të shkollës së vjetër në një çerdhe moderne për fëmijë.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve mori pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal. Ai theksoi se investimet në edukimin e hershëm janë thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve arsimore në vend.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për edukimin e hershëm dhe rritjes së përfshirjes së fëmijëve në çerdhe,” u shpreh ministri Çeku.
Projekti, me vlerë prej 178,623.20 euro, financohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa realizimi i tij pritet të përfundojë brenda 12 muajve. Ai parasheh transformimin e plotë të objektit ekzistues në një hapësirë funksionale dhe bashkëkohore për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve.
Ky investim është bërë i mundur pas ndërtimit të objektit të ri të shkollës në bashkëpunim me Komunën e Shtimes, çka ka liruar hapësirën e vjetër për t’u ridestinuar në funksion të komunitetit.
Përmes këtij projekti synohet përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe zgjerimi i qasjes në shërbimet e edukimit të hershëm për fëmijët e kësaj zone.



Të tjera
Këto zakone ua shkurtojnë jetën
Meda merr urim të veçantë për ditëlindje nga bashkëshortja
Daku mungon ndaj Polonisë, goditje për Shqipërinë në prag të play-offit