Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës të mërkurën, një zhvillim historik që shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi publik, duke e cilësuar këtë si “një akt që pasqyron sakrificën dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për liri dhe sovranitet”.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen përmes së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” ka shkruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë ndajnë një histori të përbashkët vuajtjesh dhe sakrificash për liri, duke e cilësuar këtë njohje si shenjë të respektit të ndërsjellë mes dy kombeve.
Siria tashmë është vendi i 120 që njeh Kosovën, akt ky i cili është përshëndetur nga vendorë e ndërkombëtarë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani, dhe popullin e Kosovës.
“Jemi shumë të lumtur me këtë dinamikë të re pasi është njohja e tretë këtë vit”, thuhet në njoftim.
Edhe kryeministri Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje nndaj përpjekjeve të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si një vend mik e partner.
“Pas Kenias dhe Sudanit, Siria bëhet shteti i radhës që njeh Kosovën brenda këtij viti. Tre njohje dhe tre partneritete të reja më shumë për vendin tonë.
Për këtë lajm të mirë për shtetin dhe të gjithë qytetarët tanë, i jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes sonë Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si shtet mik e partner i Republikës sonë.
Nga sot angazhohemi që lidhjet mes nesh të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjatë”, u shpreh Kurti.
Urim për Kosovën ka pasur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ish- ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, e krerët opozitarë.
Rëndësia dhe pesha e njohjes
Në anën tjetër, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, thotë se kjo njohje ka rëndësi të veçantë në nivel simbolik, diplomatik dhe gjeopolitik.
Sipas tij, për popullin e Kosovës kjo është një fitore e rëndësishme morale dhe politike.
“Njohja e Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë ka rëndësi të veçantë në nivel simbolik, diplomatik dhe gjeopolitik. Në aspektin diplomatik, kjo njohje shënon zgjerimin e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit te Kosovës dhe konfirmon faktin se pavarësia e saj është bërë tashmë një realitet i pakthyeshëm në sistemin ndërkombëtar. Siria është një shtet me peshë historike në Lindjen e Mesme dhe anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe për rrjedhojë, njohja e saj i jep Kosovës një dimension më të gjerë në botën arabe dhe islame. Për popullin e Kosovës, kjo është një fitore e rëndësishme morale dhe politike. Të qenit tashmë i njohur nga 120 shtete e botës tregon se procesi i shtetndërtimit po ecën në drejtimin e duhur dhe se Kosova po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në arenën ndërkombëtare. Kjo mund të ketë një ndikim pozitiv edhe në procesin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare si OKB-ja apo Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), sepse çdo njohje shtesë rrit bazën e mbështetjes politike për integrimin ndërkombëtar të Kosovës”, deklaron Voca.
Voca thotë se kjo njohje nuk duhet parë si provokim, por si një fakt që forcon realitetin e ri politik në Ballkan.
Kjo njohje është kujtesë se pavarësia e Kosovës nuk është më një çështje që pritet të njihet, shton Voca.
“Në plan më te gjerë, njohja nga Siria mund të shërbejë si nxitje për vende të tjera që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap. Zakonisht, kur një shtet me ndikim rajonal ndryshon qëndrim, ai krijon një efekt domino tek vendet me orientim të ngjashëm diplomatik. Prandaj, është e mundur që në muajt apo vitet e ardhshme të shohim një dinamikë të re të njohjeve, veçanërisht nga disa vende të Lindjes së Mesme, Afrikës apo Azisë. Sa i përket marrëdhënieve Kosovë/Serbi, kjo njohje nuk duhet parë si provokim, por si një fakt që forcon realitetin e ri politik në Ballkan. Ajo e bën dialogun më të ndershëm dhe më të barabartë, sepse sa më shumë shtete ta njohin Kosovën, aq më e qartë bëhet se pavarësia e saj nuk është çështje e hapur për diskutim, por bazë mbi të cilën duhet ndërtuar paqja dhe bashkëpunimi rajonal. Në thelb, kjo njohje është një kujtesë se pavarësia e Kosovës nuk është më një çështje që pritet të njihet, por një realitet që po konsolidohet çdo ditë më shumë në arenën ndërkombëtare”, shton doktori i marrëdhënive ndërkombëtare.
Për njohjen e Kosovës, u raportua edhe në Arabi, ku ky vend e mirëpret njohjen e Kosovës nga Siria.
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, ka thënë se njohja u bë nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë.
“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njoftoi njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, ka thënë ai.
Forcimi i pozitës së Kosovës
“Ky hap vjen pas një kohe kur Kosova ka qenë aktive në forume ndërkombëtare dhe në marrëdhënie dypalëshe, duke kërkuar zgjerimin e njohjeve dhe thellimin e integrimit global.
Njohja nga Siria ka disa dimensione të rëndësishme:
• Diplomatikisht, tregon se edhe vendet që më herët ishin të rezervuara po ndryshojnë qasje, duke reflektuar besimin në stabilitetin dhe seriozitetin e institucioneve të Kosovës.
• Gjeopolitikisht, kjo është një fitore strategjike për politikën e jashtme të Kosovës, sepse forcon praninë e saj në Lindjen e Mesme dhe në botën islame, duke i dhënë më shumë peshë në forume ndërkombëtare.
• Simbolikisht, ky është një sinjal i qartë se pavarësia e Kosovës është një realitet i pranuar dhe i qëndrueshëm, që nuk mund të zhbëhet”, deklaron Gashi.
Këtë zhvillim ai e sheh si dëshmi të qartë partneriteti me SHBA dhe se ajo mbetet garanti kryesor i pavarësisë.
“Ky zhvillim është një dëshmi e qartë se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sjell rezultate.
SHBA-ja mbetet garanti kryesore e pavarësisë, sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës, dhe ndikimi i saj diplomatik vazhdon të jetë vendimtar edhe në marrëdhëniet me vende të tjera që deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën.
• Arabia Saudite, si një ndër aleatet më të fuqishme të SHBA-së në Lindjen e Mesme, ka luajtur rol ndërmjetësues në shumë çështje rajonale.
Përmes saj, është e mundur që edhe vende të tjera të rajonit të ndjekin shembullin e Sirisë dhe të afrohen drejt Kosovës.
• Kjo tregon se forcimi i lidhjeve me partnerët e Amerikës – siç janë Arabia Saudite, Jordania, Egjipti, Bahrejni apo Emiratet e Bashkuara Arabe – mund të sjellë njohje të reja dhe bashkëpunime të rëndësishme ekonomike e politike.
Në këtë kuptim, diplomacia e Kosovës duhet të fokusohet edhe më shumë në boshtin Uashington–Riad–Prishtinë, sepse ky është një rrjet aleancash që garanton stabilitet, mbështetje ndërkombëtare dhe zhvillim të qëndrueshëm”, shprehet analisti.
Ai thotë se Kosova tashmë vendoset në një pozitë më të favorshme në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo njohje ndikon edhe në ekuilibrat e dialogut me Serbinë.
“Me njohjen e Sirisë, numri i shteteve që e kanë pranuar Kosovën arrin në 120, çka e vendos vendin në një pozitë më të favorshme në arenën ndërkombëtare.
Kjo përforcon argumentet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, OBI dhe Banka Botërore, dhe rrit besueshmërinë e Kosovës si partner politik dhe ekonomik.
Çdo njohje e re është një hap përpara në drejtim të legjitimitetit global, dhe një sinjal se bota po e njeh Kosovën si faktor stabiliteti në Ballkan. Kjo njohje ndikon edhe në ekuilibrat e dialogut me Serbinë, duke e vendosur Kosovën në një pozicion më të fortë ndërkombëtar.
Sa më shumë vende ta njohin Kosovën, aq më e vështirë bëhet për Serbinë të mbajë qëndrime mohues ndaj realitetit të shtetit të Kosovës.
Kjo rrit presionin diplomatik për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe për njohje reciproke në një fazë të ardhshme”, thekson Gashi.
Në fund, ai kërkon vazhdim të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, me Arabinë Sauditet dhe miqtë strategjikë.
“Njohja nga Siria nuk është vetëm një sukses diplomatik, por edhe një konfirmim i drejtësisë së rrugës që ka ndjekur Kosova.
Ajo tregon se miqësia me SHBA-në dhe aleatët e saj është çelësi i suksesit për të ardhmen e vendit. Prandaj, Kosova duhet të vazhdojë ta forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, me Arabinë Saudite dhe me të gjithë miqtë e tyre strategjikë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në politikë, ekonomi, kulturë dhe siguri.
Sepse çdo hap që e afron Kosovën me botën demokratike dhe me partnerët e saj perëndimorë, është një hap drejt stabilitetit, zhvillimit dhe njohjes së plotë ndërkombëtare”, përfundon analisti.



Të tjera
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit
Ja çfarë sëmundje keni nëse ju del gjumi natën
Serbia, rreshtohet pranë Rusisë duke mos votuar rezolutën e OKB-së për kthimin e fëmijëve ukrainas