Reagon Kurti: Vazhdojmë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare

Fitoret e VLEN-it dëshmi e qeverisjes së pastër dhe reformave

Kryeministri në detyrë dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

 

Kurti ka thënë se nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut.

“Dy miqtë e mi, Izeti dhe Bilalli, triumfuan me meritë, sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari fitoi që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen me diferencë të thellë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut.

“Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit ka sjellë një bashkëpunim të hapur dhe shumëdimensional mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona, e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, ka shkruar Kurti.