Në një fitore simbolike pas një votimi të mbajtur të hënën, delegacioni palestinez ka fituar të drejtën për të ngritur flamurin e tyre në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Sipas Reuters, propozimi, i paraqitur nga Kina, Pakistani, Arabia Saudite dhe të tjerë, në asamblenë vjetore të agjencisë globale në Gjenevë, ka kaluar me 95 vota pro dhe katër kundër – Izraeli, Hungaria, Republika Çeke dhe Gjermania – ndërsa ka pasur edhe 27 abstenime.
Ky hap vjen pas një përpjekje të suksesshme të palestinezëve për anëtarësi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së vitin e kaluar dhe në një kohë kur ka shenja se Franca mund të njohë një shtet palestinez.
Ndërkohë, duke iu referuar qartë luftës shkatërruese mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, delegatja e Libanit, Rana el Khoury, ka thënë se rezultati i votimit ofronte “një rreze të vogël shprese për popullin e guximshëm palestinez, vuajtjet e të cilit kanë arritur nivele të padurueshme.”
Deri më tani janë gjithsej 150 vende që e kanë njohur shtetin palestinez, megjithatë, shumica e fuqive kryesore perëndimore dhe të tjera nuk e kanë bërë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.
Kujtojmë se, palestinezët kërkojnë shtetësinë në territoret që Izraeli i pushtoi gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Ata kanë status zyrtar të shtetit vëzhgues në OBSH, e cila aktualisht po kalon një transformim ndërsa përgatitet për një të ardhme pa donatorin e saj më të madh, Shtetet e Bashkuara./express
Të tjera
Trump mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar për vizitë zyrtare
Partneriteti i Presidencës me komunitetin e bizneseve për të hapur dyert te gjigantët amerikanë tashmë ka sjellë rezultate konkrete
Arr*estohen katër zyrtarë policorë, dyshohen për manipulim me prova