Analisti politik Dedë Preqi ka reaguar për “Bota Sot” lidhur me shfaqjen e flamurit shqiptar gjatë protestave të fundit në qytetin serb të Novi Sadit, ku studentë dhe qytetarë janë ngritur kundër regjimit të presidentit Aleksandër Vuçiq.
Preqi thekson se protestat janë rezultat i pakënaqësisë së thellë të popullit serb ndaj një qeverisjeje që ai e cilëson autokratike dhe shtypëse, duke theksuar se një shoqëri e ndarë dhe e zhgënjyer përbrenda nuk mund të qëndrojë indiferente përballë mohimit të të drejtave të saj.
“Sikur një njeri normal nuk do të vepronte me qëllim që t’i bëjë keq përveç të tjerëve edhe pasardhësve të vet, veçse po qe një psikopat, dhe ka një pafundësi gjërash që mund të zbulohen! Vështroni sot protestat e njëpasnjëshme të studentëve dhe popullit serb nëpër tërë Serbi, që janë ngritur kundër regjimit të presidentit A. Vuçiq, të cilët nuk pajtohen me udhëheqjen dhe formën e qeverisjes së një diktati autokrat. Përderisa populli do ndihet i pakënaqur dhe i ndarë përbrenda, ka gjasa të shpërthejë dhe të shkaktojë revoltë demonstruese, kundër zgjedhës dhe pushtetit autokrat, sepse nuk mund të qëndrojë indiferent dhe vazhdimisht nën zgjedhë dhe nga çdo lloj force qoftë, që i mohon të drejtat e tyre”, thotë Preqi.
Sipas Preqit, Serbia edhe pas luftërave të fundit ndaj fqinjëve të saj nuk ka ndërtuar marrëdhënie të shëndosha ndërfqinjësore, por përkundrazi ka vazhduar të krijojë kërcënime dhe forma armiqësore, pa shfaqur ndjenjë përgjegjësie për krimet e së kaluarës.
Duke folur konkretisht për shpalosjen e flamurit shqiptar në mesin e protestuesve në Novi Sad, Preqi ngre pikëpyetje të forta për domethënien e këtij veprimi.
“Këto ditë në qytetin e Novi-Sadit, protestuesit serb duke kërkuar ndaj pushtetit përgjegjësi dhe transparencë për ngjarjen tragjike që ndodhi vitin e kaluar në stacionin hekurudhor të këtij vendi, ku humbën jetën me dhjetëra njerëz, në mesin e kësaj turme shpaloset edhe flamuri shqiptar, kur dihet botërisht se çfarë janë marrëdhëniet në mes këtyre dy popujve. Me ç’farë domethënie do shpaloset simboli i kombit tonë dhe hynë në mesin e turmës protestuese serbe në qytetin e Novi-Sadit, në mesin e një mase, që nuk ka të bëjë diçka që vendos në plotësimin e kërkesave të këtij populli, që shpalos qëndrimet e veta dhe mospajtimet ndaj pushtetit autokrat të presidentit të vet Aleksandër Vuçiq”, shprehet ai.
Sipas analistit, edhe pse në pamje të parë këto veprime mund të interpretohen si shenja tolerance, në thelb ato mund të shërbejnë për qëllime të tjera politike, të cilat nuk janë më bindëse për opinionin publik.
“Do të kishim shumë për të thënë: gjithandej shpalosen edhe shumë forma të tjera, të cilat burojnë nga faktorë të ndryshëm politik të kësaj elite serbe, gjëra që përmbajnë domethënien e një tolerance, por brendia e saj do të përmbushë qëllime të tjera, të cilat, sikur edhe në këtë rast krijojnë një formulë të pa shtjelluar, por për fat të keq sot do e humbin fuqinë e domethënies së tyre, sepse lojërat e tilla serbe nuk janë më bindëse për opinionin dhe botën”, përfundon analisti.



Të tjera
Ushtarët e KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës
Kreu i OKB-së dënon fuqishëm shkatërrimin e strukturave të OKB-së në Kudsin Lindor nga Izr@eli
Depresioni gjatë dimrit – Pse ndodh dhe si ta tejkalojmë?