“Ngërçi i zgjatur politik në Kosovë gjatë vitit 2025 ka ndikuar drejtpërdrejt në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e inflacionit”. Ky është vlerësimi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili qëndroi për vizitë zyrtare në vend nga 3 deri më 13 shkurt.
Në deklaratën përmbyllëse, FMN thekson se ekonomia ka treguar qëndrueshmëri përballë krizës politike, por ritmi i rritjes është zbehur, ndërsa presionet inflacioniste janë rritur.
“Përderisa ekonomia ka treguar qëndrueshmëri karshi ngërçit të zgjatur politik, vlerësohet se rritja është ngadalësuar në vitin 2025, ndërsa inflacioni është përshpejtuar dhe deficiti i llogarisë së jashtme rrjedhëse është zgjeruar. Ngërçi politik ka kufizuar avancimin e zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së dhe qasjen në financim të jashtëm”, thuhet në deklaratë.
Sipas të dhënave të prezantuara, rritja ekonomike është ngadalësuar në 3.5 për qind (vit mbi vit) deri në fund të tremujorit të tretë të 2025, nga 4.75 për qind një vit më parë. Dobësimi i konsumit privat dhe i investimeve, si pasojë e ngadalësimit të kreditimit dhe stagnimit të të ardhurave reale, kanë qenë faktorët kryesorë.
Rritja e importeve, veçanërisht në sektorin e energjisë, ka përkeqësuar bilancin tregtar, duke e çuar deficitin e llogarisë së jashtme rrjedhëse në 9.6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV), nga 8.4 për qind sa ishte në vitin 2024.
“Inflacioni u përshpejtua në 5.25 për qind (vit mbi vit) deri në dhjetor, nga 1.1 për qind një vit më parë, i nxitur nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Punësimi formal ka vazhduar të shënojë rritje, megjithëse rritja e pagave reale ka stagnuar ndërsa papunësia ka mbetur e lartë (10 për qind). Kjo, së bashku me pjesëmarrjen vazhdimisht të ulët të fuqisë punëtore, veçanërisht atë të grave, është indikacion i kapaciteteve ende të pashfrytëzuara në tregun e punës”, thekson FMN.
Sipas analizës preliminare, rritja reale e BPV-së për vitin 2025 pritet të jetë 3.4 për qind, ndërsa për vitin 2026 parashikohet një përmirësim i lehtë në 3.8 për qind.
FMN rekomandon rikalibrim të politikës fiskale për vitin 2026, me qëllim uljen e impulsit fiskal dhe adresimin e disbalancave makroekonomike.
“Në periudhën afatmesme, politika fiskale duhet të ankorohet në një kornizë të bazuar në rregulla, duke balancuar stabilitetin makroekonomik dhe objektivat zhvillimore, ndërkohë që ndërtohen rezervat fiskale. Sektori financiar është në gjendje të mirë, mirëpo rritja e lartë e kreditimit në vitet e fundit kërkon monitorim të afërt të rreziqeve”, thuhet në deklaratë.
Gjatë ditës, shefi i misionit të FMN-së për Kosovën, David Amaglobeli, mbajti konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe guvernatorin e Banka Qendrore e Kosovës, Ahmet Ismaili.
Viti 2025 u karakterizua nga mungesa e institucioneve funksionale për shkak të bllokadave në Kuvend. Zgjedhjet e shkurtit 2025 nuk prodhuan një Qeveri të re për një periudhë të gjatë, ndërsa Kuvendi mbeti pa vendimmarrje deri në konstituimin e tij, duke krijuar një situatë të zgjatur pasigurie politike.



Të tjera
Kusari Lila pranon detyrën e ministres
Bllokadat politike ndikuan në ekonomi
BE-ja shqyrton pezullimin e fondeve prej 1.6 miliard eurosh për Serbinë