Fundjavë vendimtare për lëvizjen e Jasharit te Milani – Ekonomia Online

Fundjavë vendimtare për lëvizjen e Jasharit te Milani

E ardhmja e Ardon Jasharit për lëvizjen te Milani pritet të mësohet në këtë fundjavë.

“SportItalia” më 12 qershor njoftoi fillimisht për bisedimet e zyrtarëve të Milanit për transferimin e mesfushorit premtues, që aktualisht është pjesë e Club Brugges.

Milani me drejtorin sportiv, Igli Taren, kishte bërë disa tentime për transferimin e tij, ndërsa tani mediumet në Itali raportojnë se “rossonerët” e kanë përmirësuar ofertën për të.

Milani, shkruan “Football-Italia” të shtunën, është gati t’i shpenzojë 35 milionë euro për mesfushorin e Zvicrës.

22-vjeçari e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë në kampionatin elitar belg në edicionin e kaluar, ndërsa u shpall edhe lojtari më i mirë i Club Brugges.

Ai i zhvilloi 52 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa pati kontribut prej katër golave të shënuar e gjashtë asistimeve.

Jashari, që ka katër paraqitje me Zvicrën A, është zhvilluar si futbollist te Luzerni. Nga kjo skuadër në korrik të vitit të kaluar u transferua për 6 milionë euro te klubi belg.

Jashari ka edhe 10 paraqitje me Zvicrën U21.